Ilir Brasha, analist i politikave publike në Qëndresa Qytetare, në një lidhje skype për MCN TV theksoi se është problematik fakti që universitetet publike i çojnë paratë për paga, ndërsa shpenzimet për kërkim shkencor janë tepër të ulëta. Brasha vë në dukje se 7 universitetet publike të marra në shqyrtim kanë shpenzuar vetëm 0,15 për qind të fondeve për kërkim shkencor, ndërsa UT ka shpenzuar vetëm 0,09 për qind.
“Sipas raportit të analizës financiare të universiteteve, duke qenë se transparenca tanimë ka disa vite që mungon në portalin u.transparenca që ishte krijuar për këtë arsye, dhe e vetmja mënyrë për ta gjetur ishte përmes analizës së transaksionit të thesarit, rezulton që 7 universitetet publike të marra nën shqyrtim, UT, i Mjekësisë, Korçës, Shkodrës, Politekniku, të gjitha shpenzojnë 88 milionë euro në vit. UT ka shpenzuar rreth 25 milionë euro gjatë vitit 2023-2024. Një nga aspektet që del edhe më problematike është se pjesa më e madhe e shpenzimeve shkon vetëm për paga, shpenzime personali. Institucionet s’po garantojnë një cilësi të arsimit, por po i çojnë kryesisht për paga dhe shpenzime administrative. Universiteti i Shkodrës shpenzon më shumë 70 për qind, dhe ‘Aleksandër Moisiu’ 55 për qind. Pjesa më e madhe e shpenzimeve shkojnë kryesisht për paga. Pastaj vijnë shpenzimet për investime. Një pjesë të madhe e zënë edhe shpenzimet për ruajtje të godinave. 7 universitetet kanë shpenzuar vetëm 0,15 për qind të fondeve për kërkim shkencor, çka nuk premton rritje të cilësisë së arsimit dhe kapitelit human. UT ka shpenzuar vetëm 0,09 për qind për studime dhe kërkime. Duhet një alokim më i lartë i fondeve drejt kërkimeve dhe studimeve”.
Ai kërkoi që portali u.transparenca të bëhet funksional dhe të publikohen të gjitha shpenzimet publike. Po ashtu ai kërkoi që Ministria e Arsimit duhet të publikojë shpenzimet në kohë reale.



