Presidenti francez, Emmanuel Macron, në një intervistë me të përjavshmen britanike “The Economist”, paralajmëroi vendet e Evropës që të mos mbajnë shpresë te mbrojtja nga Shtetet e Bashkuara si aleatë të Organizatës së Paktit të Atlantikut të Veriut (NATO).
"Ajo që ne po përjetojmë tani është vdekja e trurit të NATO-s", tha Macron.
I pyetur nëse ende beson në atë që neni 5 e përcakton si "mbrojtje kolektive" të traktatit themelues të NATO-s, nën të cilin një sulm kundër një aleati konsiderohet si një sulm kundër të gjithë aleatëve - Macron u përgjigj: "Nuk e di".
"NATO funksionon vetëm nëse edhe garanti i resurseve të fundit funksionon si i tillë. Mendoj se duhet të rivlerësojmë realitetin e asaj që është NATO në dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara", shtoi Macron.
Sipas presidentit francez, Shtetet e Bashkuara po japin sinjale se “na kanë kthyer shpinën”, siç dëshmohet nga vendimi i papritur i Presidentit Donald Trump muajin e kaluar për të tërhequr trupat nga verilindja e Sirisë pa u këshilluar me aleatët.
Kjo lëvizje i kapi fuqitë kryesore evropiane të NATO-s: Franca, Britania dhe Gjermania, në befasi dhe i hapi rrugën Turqisë, një tjetër anëtar i NATO-s, të niste një operacion ndërkufitar ushtarak që vuri në shënjestër forcat kurde siriane.
Në atë kohë, Macron kundërshtoi paaftësinë e NATO-s për të reaguar ndaj ofensivës së Turqisë dhe tha se është koha që Evropa të ndalojë së vepruari si aleati i vogël i Shteteve të Bashkuara kur është fjala për Lindjen e Mesme.
Aleatët evropianë kanë frikë se tërheqja e SHBA nga Siria verilindore do të shkaktojë vakum sigurie që mund të shfrytëzohet nga militantët islamikë.
Franca ka kohë që ka bërë presion për një bashkëpunim më të ngushtë evropian në fushën e mbrojtjes, por është përballur me rezistencë nga Britania dhe të tjerët që thonë se Shtetet e Bashkuara mbeten kryesore për mbrojtjen perëndimore, veçanërisht përballë një Rusie më të sigurt.
Trump ka qenë mjaft kritik ndaj mbështetjes që vendet evropiane shohin te Shtetet e Bashkuara për mbrojtjen e tyre dhe paaftësinë e disave, veçanërisht Gjermanisë, për të përmbushur objektivin e NATO-s për të kontribuuar me 2% të PBB-së.



