
Një projektligj i qeverisë që parashikon krijimin e një Dhome Unike Ekonomike Kombëtare, në të cilën bizneset do të përfshihen me detyrim, ka hasur kundërshtimin e organizatave të biznesit.
Bledar Mankollari, drejtor ekzekutiv i Dhomës Gjermane, tha në studion e MCN Economy se një dhomë e tillë centralizon të gjithë aktivitetin e bizneseve. Sipas tij, kjo është një taksë plus për bizneset.
Ishin komente që duhej t’i kthenim grupit të punës. Centralizohet financa, centralizohet gjithçka. Këtij draft ligji nuk i është shoqëruar asnjë letër informacion se çfarë duhet të arrihet. Nuk ka diçka të qartë se ku duam të arrijmë dhe çfarë duam të bëjmë.
Dhomat bilaterale kanë natyrën e tyre, nuk ka lidhje me konkurrencën. Parimisht, ky draft siç është paraqitur është një taksë plus. Nëse do të ishte një shërbim, atëherë duhej llogaritur tarifa. Në Shqipëri duhet një formë organizative që ta ndihmojë qeverinë për të bërë politika të mira. Duhet diçka që të organizohet, të funksionojë dhe të përmirësojë klimën e biznesit. Drafti ka disa probleme që ne i kemi shfaqur.
Sipas tij, projektligji nuk ka mekanizmat e duhura që bëjnë atraktive anëtarësinë.
Është ambient i ndryshëm ekonomik dhe kërkon rregullat e veta të lojës. Parimisht, Shqipërisë i duhet të punojë shumë për përmirësimin e legjislacionit. I duhet jo vetëm ta artikulojë problemin por te qasemi edhe me zgjidhje. Sigurisht që duhen. Kthehemi te pjesa e parë. Komentet tona nuk janë mediatike, ky ligj duhej të kishte edhe njëherë analizën përpara. Çfarë nuk funksionon me sistemin aktual?
Ka edhe një ligj për konsultimin publik. Në bazë të tij është depozituar opinioni në portalet e konsultimit publik edhe nuk është marrë përgjigje. Ky ligj, ashtu siç është i shkruar, ka një tarifë shërbimi të garantuar, për pjesën e shërbimit mbetet për t’u diskutuar.



