
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, njoftoi sot se qeveria ka vendosur të shpërblejë për festat e fundvitit disa kategori përfituesish. Sipas ministres, pensionistët përfitojnë 30 mijë lekë të vjetra shpërblim, ndërsa personat që trajtohen me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20 mijë lekë të vjetra.
“20 mijë lekë të vjetra shpërblim për 79 379 përfitues që trajtohen me ndihmë ekonomike, 67 311 pjesë e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara”, tha ajo.
“Këshilli i Ministrave shpërblen me 30 mijë lekë të vjketra personat që përfitojnë pension dhe trajtime të tjera financiare. Përfitojnë 498 242 pensionistë që trajtohen me pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar dhe qyteti si edhe 132 530 persona që trajtohen me pension kooperative. 981 persona që marrin trajtim të veçantë financiar dhe që kanë punuar në miniera dhe nën tokë si edhe në ndërmarrje të industrisë ushtarake.11 876 persona që marrin pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, 3037 persona që marrin pension pleqërie sipas ligjit për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera dhe nën tokë. 2250 persona që nuk përfitojnë pension, por trajtohen me shpërblim financiar si veteranë të LANÇ-it”, tha Manastirliu.
Fondi total për shpërblimet e fundvitit për kategoritë e sipërpërmendura është 2 miliardë e 253 milionë lekë.
Qeveria shpërblen ushtarakët dhe policët
Qeveria ka vendosur të shpërblejë punonjësit e Forcave të Armatosura për përballimin me sukses të situatës së përmbytjeve. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, tha se 63 290 000 lekë do t’u shpërndahen të gjitha trupave të Forcave të Armatosura, FNSH-ve dhe repartit RENEA.
“Këshilli i Ministrave u akordoi sot, 2917 punonjësve të Forcave të Armatosura si dhe 330 punonjësve të Policisë së Shtetit, repartit special RENEA dhe të reparteve të FNSH-së, shpërblimin financiar për angazhimin në operacione të shumta për përballimin e gjendjes së krijuar në vend, si pasojë e reshjeve dhe prurjeve të jashtëzakonshme të cilat sollën dëme dhe kërcënuan jetë njerëzish. Forcat e Armatosura kanë qenë kurdoherë të parat, aty ku më shumë ka patur nevojë për ta", tha ajo.



