Protesta e minatorëve të minierës së bakrit në Spaç të Mirditës ka hyrë në ditën e 12-të të saj.
Minatorët kërkojnë rritjen e pagave, njohjen e sindikatës së krijuar në muajin gusht dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, e cila do të garantojë më shumë të drejta dhe siguri në vendin e punës.
Ende nuk ka një reagim nga kompania koncesionare “Tete Albania”, gjë e cila ka rritur pakënaqësinë tek minatorët dhe shprehen të vendosur për të vazhduar protestën.
Gazetari Jul Simoni në një lidhje me studion e lajmeve të MCN Tv tha se minatorët kanë paralajmëruar se nëse nuk plotësohen kushtet e tyre ata do të nisin një grevë.
Edhe këtë fillim jave minatorët e kanë nisur duke bojkotuar punën. U mblodhën në hyrjen kryesore të kompanisë “Tete Albania” dhe kërkuan plotësimin e kërkesave. Kompania nuk ka pranuar të dialogojë me minatorët. Ata nuk e njohin sindikatën sepse nuk i plotëson kriteret ligjore.
Minatorët kanë bërë të ditur që do të vijojnë protestat madje do ta përshkallëzojnë në grevë. Nesër pritet të ketë një takim me ministrinë e linjës në Tiranë.



