Kryeredaktori i MCN TV Leonard Mitro, nga studio e lajmeve ka komentuar lidhur me procesin e numërimit të votave duke vënë theksin te numri i lartë i votave të pavlefshme që kanë rezultuar deri në këtë fazë të procesit, afërsisht 30 mijë të tilla.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se shpreson që numri i lartë i këtyre votave të pavlefshme të mos bëhet alibi që që palët të kërkojnë një rinumërim të tyre.
Para se të flasim për votën e shqiptarëve në kuti po flas për votat e pavlefshme dhe shpresoj që asnjë nga palët në fund të mos kërkojë rinumërim se kam dëgjuar nga të dyja palët për rinumërim dhe shpresojmë të mos kërkohet në mënyrë që më pas procesi të fillojë një odise të re.
Më tej ai sqaroi se ndryshe nga një ditë më parë kur të gjithë kanë qenë skeptikë shifrat e para tregojnë një trend në favor të Partisë Socialiste e cila aktualisht del si forcë e parë.
Deri dje kemi qenë skeptikë, por tani kemi rezultate, ka nisur numërimi kutive duke dalë shifrat e para, jemi pothuajse afërsisht në gjysmën e numërimit të kutive duket qartë se ka një trend për PS si forcë e parë, ndërsa PD ka avantazh vetëm në 3 qarqe. PD ka shpresën që rezultati të përmbyset, por kjo duket e vështirë. Personalisht mendoj se dilema në zgjedhje për shqiptarët është të zgjidhnin mes një qeverie të korruptuar apo një opozitë e keqe. Duket se shqiptarët kanë zgjedhur të parën, duke qenë se qeveria aktuale garantoi vazhdimin e punëve të nisura, mesa duket opozita nuk ka dhënë garanci të tilla, edhe pse Basha ka ardhur me propozime konkrete.
Në fund kryeredaktori Mitro teksa foli për shifrat e dala deri tani theksoi së nëse ky trend do vazhdojë të qëndrojë dhe nëse maxhoranca aktuale fiton 77 mandate, i humburi më i madh nga këto zgjedhje do jetë vetëm kreu i opozitës Lulzim Basha.
Ajo që dua të theksoj është se i humburi më i madh do jetë Basha nëse PS konfirmohet forcë e parë dhe shkon në 77 mandate. Nëqoftëse maxhoranca siguron mbi 70 vota dhe opozita ngelet në 60 mandate, sërish i humburi i madh i këtyre zgjedhjeve nuk është LSI, por kreu i opozitës Basha.



