Ushtria shqiptare do të jetë një nga dikasteret që do të përfitojë më shumë nga projektbuxheti i vitit 2024.
Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe njëherazi deputeti i PS-së, Bardhyl Kollçaku tha përmes një lidhje "Skype" me studion e lajmeve në MCN Tv se dekada në të cilën po jetojmë është e mbartur me kërcënime dhe se për të përballuar këto sfida patjetër që duhet të forcohen kapacitetet dhe të modernizohen strukturat.
Unë dhe në detyrat që kam pasur, kur kam qenë shef i shtabit të FA-ve, kërkesat tona kanë qenë konstante për një rritje të buxhetit të mbrojtjes. Sepse ne kemi një strategji ushtarake, një plan afatgjatë të zhvillimit dhe për dëgjuesin janë dy modele ku parashikohet strategjia ushtarake. Është modeli i strategjisë mbi resurset dhe modeli i bazuar mbi rreziqet dhe kërcënimet.
Dekada e fundit që po jetojmë, duke filluar nga 2013 është e mbartur me kërcënime, jo vetëm ato tradicionale siç ishte agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës, por dhe rreziqet e tjera të terrorizmit, kërcënimet kibernetike.
Për të përballuar këto kërcënime dhe sfida patjetër që duhet të forcohen kapacitetet, duhet të modernizohet forca e armatosur, duhet të shtohen kapacitetet operacionale, duhet të rritet gatishmëria në mënyrë që të jemi në gjendje të plotësojmë detyrimet kushtetuese, por edhe ato që burojnë nga artikulli 3 i traktatit të NATO-s.
I ndalur tek buxheti për emergjencat civile, Kollçaku tha se nuk janë të mjaftueshme.
400 milionë lekë nuk janë të mjaftueshme për mbrojtjen civile. Kemi dhe 2 miliardë nga financimet e huaja.
Ka dhe detyrime të prapambetura që kur ka pasur përmbytje në Shkodër, apo tërmete në zona të ndryshme që i kanë kaluar drejtorisë së emergjencave që do kërkojnë fond shtesë. Kur të diskutohet nen për nen do të dëgjojmë dhe në komisionin e sigurisë dhe do jemi të vëmendshëm pasi përballja me emergjencat është një nga detyrimet kryesore.



