Kryetari i Shoqatës së Turistëve Besnik Vathi tha në “MCN Economy” se shifra që në Shqipëri kanë hyrë 10 milionë turistë është tërësisht e gabuar.
Ai tha se pjesë e kësaj shifre janë eskursionistët dhe tranzitët. Vathi theksoi rëndësinë e rritjes cilësore të turizmit, ndërsa shtoi se për të shkuar te turizmi elitar është e vështirë, dhe kërkon kohë.
Vërejtja ime e parë është për numrin. Kur deklarohet 10 milionë turistë, është komplet e gabuar. Të thuhet 10 milionë vizitorë të huaj, po është e saktë, dhe është arritje e madhe. Është një diferencë e madhe e atyre që futen në disa kategori, por nuk qëndrojnë më shumë se 24 orë, që janë tranzitët, që hyjnë në një kufi dhe dalin në një tjetër, dhe eskursionistët, që vijnë në mëngjes dhe kthehen në darkë, apo edhe ata që vijnë me kroçere. Tranzit dhe eskursionistë janë një numër i madh. Eksursionistët sjellin të ardhura, ndërsa vizitorët tranzistë janë më pa të ardhura. Ka me vite që përmenden si turistë vizitorët e huaj. Është tendencë e mirë të shikosh të ardhurat, por deklarata që synojmë turizëm elitar, është e sforcuar, dhe ndoshta e gabuar, pasi nuk mund të pretendosh turizëm elitar vetëm duke pretenduar se do jetë më cilësor. Turizmi elitar ka pak numra dhe shumë të ardhura, nga një person apo dy persona. Nuk është turizëm elitar të kesh hotele me 5 yje, është turizëm i një standardi normal. Mbi kategorinë 5 mund të jenë edhe 10 të tjera. Hotelet elitare janë në numra të vegjël edhe në botë. Edhe në vendet kufitare hotele elitare ka shumë pak. Nuk është vetëm te investimet, por edhe përgatitja e stafit. Duhet gradualisht të kalohet nga një fazë te një tjetër. Unë gjithnjë ngul këmbë te rritja cilësore e turizmit, se sa të shkojmë te turizmi elitar, sepse do të duhet kohë për të shkuar. Janë disa masa. Së pari duhen identifikuar nga cilët kombe na vijnë. Ne kemi një grup të madh turistësh pa të ardhura, është grupi i turistëve që kanë pasaportë të huaj, por kombësi shqiptare. Kemi emigracionin më të madh të ri. Ne turistët më të mëdhenj i kemi nga Polonia, që në total s’i kalon 200 mijë”.



