Një video sensibilizuese me mesazhin “dashuri, jo terror” është bërë virale në internet, pasi u postua fillmisht nga kompania kuvajtiane e telekomunikimit “Zain”.
Subjekti ka në qendër një kamikaz që përballet me besimtarët e vërtetë.
Kompania e ka lançuar këtë video për qëllime marketingu, por mesazhi i saj ka bërë që vetëm në dy ditët e para të muajit të shenjtë të Ramazanit, ajo të mbledhë mbi 2 milionë klikime në “Youtube”.
Mesazhi i saj përforcohet edhe nga personazhe të njohura për botën si Omar Daqneesh, vogëlushi 5-vjeçar, fotot e të cilit bënë xhiron e botës pas sulmit ajror në Aleppo, në gusht 2016.
Në video shfaqen edhe figura të tjera të botës myslimane, që përpiqen ta bindin kamikazin të mos e shtypë butonin e eksplozivit që mban në trup.
Në video është përfshirë edhe Ibrahim Abdulsalam, i cili u plagos në shpërthimin e korrikut 2015, në xhaminë e Kuvajtit. Shteti Islamik e mori përgjegjësinë e atij sulmi ku mbetën të vrarë 27 njerëz. Pamjet përfshijnë edhe ato të sulmit më të përgjakshëm të ISIS-it, shpërthimin vetëvrasës në provincën Karrada të Bagdadit më 3 korrik 2016, ku u vranë më shumë se 300 persona. / Gazmira Sokoli /



