
Vatra të reja zjarri janë përhapur gjatë mbrëmjes dhe natës në disa fshatra të Bashkisë Finiq, kjo edhe për shkak të favorizimit nga era duke rritur rrezikun për banorët, por edhe për pikën turistike të Syrit të Kaltër.
Ekipet zjarrfikëse të Bashkive Finiq, Delvinë, Konispol e Sarandë, të mbështetura nga 5 zjarrfikëse dhe70 efektivë të FA, si dhe 20 efektivë të Policisë së Shtetit, kanë qenë në terren për të vendosur në kontroll flakët agresive. Vatrat që u përhapën të favorizuara nga era e fortë mes fshatrave: Velahovë, Livinë, Ardhasovë, Bistricë, Krongj.
Gjithashtu gjatë natës ka pasur evakuime te përkohshme të banorëve në Livinë dhe Ardhasovë pasi flakët dhe tymi kanë vijuar.
Në orët e para të mëngjesit, u realizua një operacion për të parandaluar përhapjen e flakëve që rrezikonin Hidrocentralin e Bistricës, ku u ndërhy gjithashtu nga ajri.
Për arsye sigurie, qarkullimi i mjeteve në aksin Muzinë - Bistricë u kufizua.
Vatrat e zjarrit tashmë janë në kontroll por orët e pikut mund të favorizojnë rindezjen e tyre.



