
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i bindur se serbet të cilët bojkotuan zgjedhjet në veri, ishin anëtarë të grupit mercenar “Wagner”.
Në një intervistë për gazetën estoneze “Delfi”, shefi i ekzekutivit nuk e fshehu shqetësimin për përfshirjen e Rusisë në tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Kemi dëshmi se disa nga serbët që bojkotuan zgjedhjet ishin të lidhur me grupin Wagner, madje disa prej tyre ishin anëtarë të grupit.
Disa anëtarë të Wagner dhe Ujqërve të Natës (një klub rus motoçikletash i mbështetur nga Kremlini) erdhën në Kosovë nga Serbia dhjetorin e kaluar dhe kanë lidhje të ngushta me dy organizatat terroriste. Dhe një organizatë terroriste po dërgon kërcënime me vdekje për mua dhe ministrin tim të brendshëm.”. tha Albin Kurti.
Kërcënime Kurti tha se ka marrë edhe pas sekuestrimit të një sasie të madhe të armëve dhe municionit në veri nga Policia e Kosovës.
“Kemi konfiskuar një sasi të madhe municionesh dhe kallashnikovë nga një shtëpi në një komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës. Pak para se të vija në intervistë, mora një tjetër letër kërcënuese nga terroristët, ku thuhej me tallje se armët që kishim sekuestruar ishin vetëm një pjesë e vogël e pajisjeve të tyre.”, përfundoi Kurti.
Ndër të tjera, kryeministri Kurti është ndaluar edhe tek stërvitjet e përbashkëta ushtarake mes Rusisë dhe Serbisë teksa një koment e kishte edhe për votat e kësaj të fundit kundër sovranitetit dhe integritetit të Ukrainës, të cilat i sheh si dëshmi të afërsisë mes dy vendeve.



