Në fjalimin e fundit si president drejtuar amerikanëve, Donald Trump u shpreh se ndihet krenar që gjatë mandatit të tij nuk ka nisur asnjë luftë. Për ish-ambasadorin tonë në SHBA, njëkohësisht ekspert i çështjeve ndërkombëtare, Fatos Tarifa, një deklaratë e tillë është thjesht demagogji. Në studion e lajmeve të MCN TV, Tarifa tha se jo të gjitha luftërat e administratave të mëparshme kanë qenë luftëra të këqija, duke sjellë shembullin e ndërhyrjes në konfliktin e Kosovës në vitin 1999.
“Është demagogji. Jo çdo luftë që Amerika ka bërë, ka qenë luftë e keqe. Kujtojmë luftën e Kosovës. Trumpi nuk bëri luftë jashtë Amerikës, por e solli luftën në Uashington. Nuk është i pari president që nuk ka bërë luftë dhe nuk duhet të marrë një meritë që nuk i takon”, tha ai.
Sipas Tarifës, administrata Biden, e cila merr detyrën zyrtarisht sot, do ta kthejë në normalitet politikën amerikane.
“Ndryshim radikal është shumë të thuash, por ai do ta kthejë politikën amerikane në normalitet. Është një ditë e shënuar dhe e rëndësishme për SHBA, pasi shënon fundin e një administrate që nuk ka bërë atë që z.Trump tha në fjalimin e tij të fundit. Biden ka deklaruar se fokus do të jetë lufta kundër pandemisë, kur viktimat i kanë kaluar 400 mijë. Ekonomia dhe ulja e papunësisë mbeten sfidë. Tjetër është rimëkëmbja e marrëdhënieve të SHBA me aleatët dhe rikthimi i marrëveshjeve nga të cilat doli Trump”, tha ai.
Tarifa shtoi se kalimi i presidencës në duart e demokratëve është një lajm i mirë për Kosovën.
“Kthehemi te politika tradicionale. SHBA kanë qenë për çlirimin e Kosovës dhe zhvillimin demokratik të saj, është një lajm i mirë”, tha Tarifa.



