
Autoritetet belge kanë arrestuar Mario Çelën, vëllanë e Suel Çelës, i shpallur së fundmi në kërkim nga SPAK.
SPAK me mbështetje të Europol, Eurojust dhe autoriteteve ndërkombëtare, ka goditur një organizatë kriminale të trafikut të kokainës, me bazë në Elbasan dhe shtrirje në disa shtete të BE dhe Amerikës Latine. Hetimi i bazuar në përgjimet e Sky Ecc dhe veprime të tjera hetimore ka çuar në ndjekjen penale të 21 personave, duke përfshirë drejtuesit e grupit, një ish-zyrtar të policisë dhe një ish-gjyqtar.
Ky grup, i drejtuar nga Suel Çela ishte përgjegjës për trafikimin e kokainës nga Ekuadori drejt Europës, duke përdorur porte të mëdha si Antverp dhe Roterdam. Ata kishin arritur të korruptonin funksionarë të lartë të policisë (ish-shefi i krimeve të Komisariatit nr. 6 në kryeqytet Dedan Gjoni) dhe gjyqësorit (ish-gjytari Zihni Shahu dhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu) për të mbrojtur aktivitetin e tyre kriminal.
Përveç trafikimit të drogës, grupi dyshohet për vrasje të tentuara, manipulimin e medias dhe përfitime të paligjshme nga korrupsioni. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi të mëdha parash dhe pasuri të paluajtshme të blera nga të ardhurat kriminale.
Ndërkohë lidhur me dy gazetarët, Elton Qyno dhe Artan Hoxha dyshohet se ata janë përdorur nga Suel Çela për të publikuar informacione të pavërteta për interesa personale.



