
Selia Botërore e Bektashinjve mirëpret shpalljen e nismës për krijimin e një shteti bektashi, të cilën e quan të jashtëzakonshme për krijimin e Urdhrit Bektashi si një entitet plotësisht sovran, duke sjellë një epokë të re për tolerancën fetare globale dhe promovimin e paqes. Kryegjyshata Botërore e Bektashinjve shprehet se qeverisja e shtetit do të udhëhiqet nga udhëheqja shpirtërore e Urdhrit, me Kryegjyshin dhe një këshill që do të mbikëqyrë funksionet fetare dhe administrative. Po ashtu bëhet e ditur se shteti i ri nuk do të ketë asnjë synim tjetër veç udhëheqjes shpirtërore. Më tej shtohet se si ent shpirtëror, shtetësia në shtetin e ri sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet vetëm tek anëtarët e klerit dhe individët e angazhuar në administrimin e shtetit. Nënvizohet se Urdhri Bektashi, i njohur për mesazhin e tij të paqes, tolerancës dhe harmonisë fetare, do të fitojë sovranitet të ngjashëm me Vatikanin, duke e lejuar atë të qeverisë në mënyrë autonome çështjet fetare dhe administrative.
Kjo lëvizje do t’i mundësojë Urdhrit të forcojë rolin e tij në nxitjen e dialogut global ndërfetar dhe në kundërshtimin e rritjes së ekstremizmit të dhunshëm në mbarë botën.
Sovraniteti do të sigurojë mbrojtjen dhe pavarësinë e praktikave fetare të Urdhrit Bektashi dhe promovimin ndërkombëtar të këtyre vlerave.
Për besimtarët e Urdhrit Bektashi nëpër botë, ky sovranitet siguron njohjen zyrtare të bashkësisë së tyre fetare dhe siguron mbrojtjen e praktikave të tyre shpirtërore.
Ai gjithashtu do të krijojë një platformë që Urdhri të përhapë mesazhin e tij të paqes dhe tolerancës në mënyrë më efektive, duke shërbyer si një zë global për Islamin e moderuar.
Sovraniteti i Urdhrit Bektashi është një hap i rëndësishëm në forcimin e vlerave të përfshirjes, harmonisë fetare dhe dialogut në një botë gjithnjë e më të ndarë.
Nga ana e tij Kryegjyshi Baba Mondi deklaron se kjo nismë nuk ka të bëjë me vetëvendosjen dhe as nuk po kërkon ndikim apo pushtet politik. Ne po kërkojmë lirinë për të vazhduar traditën tonë shekullore të moderimit shpirtëror dhe përfshirjes fetare.


