
Analisti Mentor Kikia, thotë se Këshilli i Europës nuk e priste fjalimin e Kryeministrit Edi Rama sot në Asamble lidhur me faktin se raporti i Dick Martit ka pasur gabime, duke deklaruar se një raport i tillë ka kaluar me kohë dhe është pranuar.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai e vlerësoi si një fjalim të mirë të Ramës, por ngriti pyetjen se pse vjen sot, çfarë sjell dhe çfarë ndryshon në rrjedhën e ngjarjeve.
Çështja e UÇK-së dhe luftës në Kosovë, është sot në gjykatën e Hagës, ku politikanët shqiptarë me ish-kryeministrin Thaçi janë sot para gjykatës për të fituar pavarësinë e luftës së Kosovës.
Çdo fjalë e thënë në zyrat e Europës në këtë drejtim është një gjë e mirë fjalimi i Kryeministrit Rama është mirë që u mbajt, por konsideruar benefitet që mund të ketë çështja kombëtare, është thuajse e mbyllur.
Sot Rama është duke korrur lavdi mes qytetarëve dhe politikanëve të Kosovës që i shprehin mirënjohje për atë që bëri në shërbim të Kosovës. Do ketë impakt edhe në politikën e brendshme, sa i takon një Kryeministri të akuzuar për afera korruptive.
Nuk është Rama i pari që e kundërshton raportin, e ka kundërshtuar diplomacia e Kosovës, mediat dhe çdo njeri në Shqipëri dhe Kosovë që kishte mundësi të fliste dhe shkruante ku të mundte, nuk është kjo një rruge në qiell të kaltër, akuzat mbi raportin për fakte të paqena kanë qenë të vazhdueshme.
Rama i ndryshon burimin, deri tani thuhej se raporti ishte gatuar në Serbi, për të kriminalizuar luftën e Kosovës. Sot ka çuar raportin e Dick Martit në Moskë, duke shmangur Serbinë.
Është artificë, nuk është për të mbrojtur Vuçiç dhe Serbinë, se është shumë pak.
Është përpjekje për të fituar më shumë kredo politike si politikan ballkanas që atakon Moskën dhe Rama po përpiqet të fitojë dimensionin e një politikani që i rri e ngushtë Shqipëria, ndaj shkon dhe ngre të tilla hipoteza.
Lidhur me faktin se Rama u vu në sulm edhe për marrëdhëniet e tij me Turqinë, Kikia shtoi se raportet e Turqisë me Bashkimin Europian, janë komplekse historike, kulturore, fetare dhe në shumë dimensione.
Sipas tij, Rama është nga ata politikanë ballkanas që nuk e ka fshehur por e ka promovuar dhe shfrytëzuar këtë marrëdhënie edhe si një përpjekje për ti bërë karshillëk BE-së, kur vononte të hapte negociatat, duke thënë se nuk është përgjegjësia e Shqipërisë që nuk u hapën dhe thoshte do gjejmë aleatë të tjerë.
Dhe reklamonte miqësinë me Erdogan dhe marrëdhëniet personale. Erdoganin, Rama e ka si një kartë për ta treguar sa herë i duhet që ta përdorë në kancelaritë e Europës nuk besoj se do të ketë asnjë lloj qasje reale që Europa të shantazhohet në këtë mënyrë.
Ndërsa në progres raportin e fundit, Komisioni Europian ngre alarmin për nivelin e lartë të korrupsionit ndërkohë që vlerëson reformën në drejtësi, Kikia shtoi se ky është shabllon tashmë, pasi reforma në drejtësi është një proces politik mbi të gjitha.
Jo vetëm financiar, por politik i SHBA dhe BE, në një farë mënyre është një krijesë e tyre. Në këtë kuadër reforma në drejtësi do vazhdojë të marrë mbështetje edhe pse nuk ka produkte qartësisht të dukshme, sërish reforma në tërësinë e saj si një proces që do vazhdojë edhe për pak vite po e merr mbështetjen.
Çështja e luftës kundër korrupsionit, do vazhdojë të jetë në krye të çdo raporti që do vijë nga Brukseli për çështjen negociatave.
Me çeljen e negociatave monitorimi do jetë më i rreptë, burokratët e Brukselit do vijnë me letër çfarë efekti ka dhënë ky ligj. Padyshim do ketë reflektim, në kuadër të negociatave, Shqipëria nuk është më ai vendi që mund të bëjë çfarë të dojë.
Procesi i negociatave nuk është një proces që shënon një datë në kalendar, por një proces monitorues ku Shqipëria është një shtet nën kontroll, nën protektorat.
Shenja e parë ishte shtyrja e miratimit të amnistisë fiskale, çështja e pasaportave shumë e ndjeshme.
Çështjet që bien ndesh me BE, nuk do kalojnë dhe nëse kalojnë me kokëfortësinë e qeverisë shqiptare do marrin pas penalitete se nuk besoj që politikanë në Tiranë do kenë lirshmërinë që ti miratojnë thjesht me forcën e kartonave që kanë në Kuvend.



