Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Durrës, mbështetur dhe nga FNSH Tiranë, Krujë , kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në drejtim të përdorimit dhe shfrytëzimit të guroreve, shkak për ndotje të mjedisit dhe për shpërdorim të tokës.
Më herët, gjatë fazës së parë dhe të dytë të këtij operacioni, nga kontrolli i ushtruar në territor, është arrestuar në flagrancë administratori i një guroreje që nuk dispononte asnjë dokument, si dhe janë proceduar penalisht 6 shtetas, administratorë të 6 guroreve, për mungesë dokumentacioni, ndotje ajri dhe shpërdorim toke.
Në kuadër të fazës së tretë të operacionit, në datën 26.01.2023, u arrestua në flagrancë shtetasi D. P., 34 vjeç, banues në Krujë, pasi nga kontrolli i ushtruar në subjektin gurore që ai administronte, u konstatua se nuk dispononte dokumentacionin përkatës për ushtrimin e aktivitetit të nxjerrjes dhe përpunimit të materialeve inerte e gurore.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprat penale “Shpërdorimi i tokës”, “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Prerja e paligjshme e pyjeve“, “Transportimi i mbetjeve toksike” dhe “Prerja e drurëve dekorativë e frutorë”.



