“Arrest me burg” ka caktuar Gjykata e Durrësit për tre nga tetë personat e arrestuar lidhur me arratisjen e të paraburgosurit Altin Ndoci, nga spitali i Durrësit.
Gjykata vendosi “Arrest me burg” për tre prej tyre, “Arrest në shtëpi” për dy të tjerë dhe “Detyrim paraqitje” për tre të tjerët.
“Arrest me burg” u vendos për komisar Dezdemon Pazaj, punonjës i Policisë së Burgjeve; Sali Ferrollari, punonjës i Policisë së Burgjeve dhe Fatjon Braçi, punonjës i Policisë së Burgjeve.
“Arrest shtëpie” u vendos për punonjësen e Policisë së Burgjeve Violeta Uka dhe kryeinfermierin e burgut Durrës, Aulon Quku.
Ndërkohë “detyrim paraqitje” u caktua për Dorjan Saraçin, punonjës i Policisë së Burgjeve dhe dy kolegët e tij Preng Marvataj dhe Aranit Çela.
Arratisja e Ndocit ndodhi mesditën e 13 janarit nga spitali i Durrësit, ku i paraburgosuri kishte shkuar për vizitë.
Ai kërkoi që të shkonte në tualet dhe në momentin e daljes goditi dy policët që e ruanin dhe u largua me vrap, ku në afërsi të spitalit e priste një makinë me të cilën u largua.



