Ushtarët rusë që u plagosën gjatë “operacionit special ushtarak” në Ukrainë do të pajisen me gjymtyrë artificiale të teknologjisë së fundit, do t’i nënshtrohen rehabilitimit dhe do të marrin profesione të reja.
Kështu deklaroi të premten ministria ruse e Mbrojtjes, gjatë një ceremonie për ndarjen e çmimeve për ushtarakët rusë në qendrën e rehabilitimit dhe edukimit në spitalin ushtarak Vishmensky në Moskë.
Së bashku me çmimet, ushtarët morën certifikata të profesioneve të reja dhe certifikata për strehim.
Janë prodhuar dhe përshtatur gjymtyrët artificiale të fundit për secilin prej jush. Ofrohet një kurs trajnimi për të mësuar se si t’i operoni ato.
Gjithashtu një program rehabilitimi është zhvilluar për secilin prej jush.
Një deklaratë e tillë u bë nga Alexander Sergoventsev, zëvendës shefi i drejtorisë kryesore të mjekësisë ushtarake, raporton Tass.
Sipas ministrisë, profesionet e reja të marra në qendrën arsimore do të bëjnë të mundur që ushtarët e plagosur të vazhdojnë shërbimin ushtarak në organizatat e ministrisë së Mbrojtjes.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shoigu deklaroi më herët se ishte marrë një vendim për t’u dhënë mundësi ushtarakëve të plagosur gjatë operacionit special ushtarak në Ukrainë, që të vazhdojnë shërbimin ushtarak.



