“Rama nuk është Shqipëria”. Ky është mesazhi që përcjell deputetja e pavarur Marjana Koçeku, e cila pas largimit nga Partia Socialiste muajin e kaluar është shndërruar në një nga zërat më kritikë ndaj qeverisë së Kryeministrit Edi Rama.
Përpara angazhimit në politikë, Koçeku njihej si Neomalsore, e fokusuar te zhvillimi i qëndrueshëm dhe mbrojtja e komuniteteve në veri të Shqipërisë.
Sipas saj, përvoja në terren ka ndikuar drejtpërdrejt në qëndrimet që mban sot ndaj politikave të zhvillimit dhe menaxhimit të territorit.
Deklaratat e saj në një intervistë për Euroactiv vijnë në një kohë kur Shqipëria po përballet me protesta të njohura si “Revolucioni Flamingo”, një lëvizje qytetare që kundërshton projektet e zhvillimit të turizmit luksoz në zonën e ligatinave të Vjosa-Nartës.
Aktivistët argumentojnë se ndërtimet e planifikuara mund të kenë pasoja për një nga ekosistemet më të rëndësishme të vendit dhe kanë kërkuar rishikimin e projekteve, mes tyre edhe investime të lidhura me biznesmenin amerikan Jared Kushner.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama i ka minimizuar protestat, duke i cilësuar ato si “histeri dixhitale” dhe “një revolucion imagjinar”.
Sipas tij, kundërshtimet nuk përfaqësojnë interesin publik dhe nuk duhet të pengojnë investimet strategjike që synojnë zhvillimin ekonomik dhe rritjen e sektorit të turizmit.
Koçeku e kundërshton këtë qasje, duke pretenduar se qeveria po përdor komunikimin publik për të delegjitimuar protestuesit.
“Po përdoret media për të krijuar bindjen se, nëse protestojmë, po dëmtojmë të gjithë procesin dhe besimin e Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë. Nuk ka më legjitimitet, as për qeverinë dhe as për opozitën tradicionale. Ata kanë treguar se po punojnë vetëm për një grup të vogël interesash,” deklaroi ajo, duke argumentuar se mbrojtja e mjedisit dhe transparenca në vendimmarrje janë pjesë e standardeve që kërkon vetë procesi i integrimit evropian.
Lidhur me largimin nga PS, ajo shprehet se, “Nuk mund t’i përkas më një grupi që jo vetëm nuk e mbështet mjedisin, por po bën politika që e prishin atë. Dhe po, kam mbështetur edhe iniciativat e kolegëve nga opozita sepse e konsideroj të drejtën time qytetare”.



