Presidenti i Gjermanisë, në një dalje të rrallë televizive, tha se pandemia e koronavirusit ishte një "provë e njerëzimit tonë".
Frank-Walter Steinmeier kundërshtoi pikëpamjet e udhëheqësve të tjerë, duke thënë se pandemia nuk ishte "një luftë".
"Jo, kjo pandemi nuk është një luftë. Kombet nuk kundërshtojnë kombet e tjerë dhe as ushtarët nuk kanë dalë kundër ushtarëve të tjerë. Kjo është një provë e njerëzimit tonë", tha Steinmeier, duke kundërshtuar veçanërisht pikëpamjen e presidentit francez Emmanuel Macron të shprehur në mars.
Steinmeier u kërkoi gjermanëve të tregonin solidaritet me të tjerët dhe me Evropën.
Kjo krizë "nxjerr më të mirën dhe më të keqen e njerëzve. Le t'u tregojmë të tjerëve se çfarë është më e mira në ne", u tha ai bashkëqytetarëve të tij.
Gjermania ka më shumë se 117 000 raste të konfirmuara të koronavirusit, por më pak vdekje sesa Italia, Spanja dhe Franca, me një numër të përgjithshëm vdekjesh prej 2 544, thotë "Euronews".
Gjatë fjalimit të tij të shtunën, presidenti gjerman theksoi nevojën për të gjetur një vaksinë dhe për të ndihmuar vendet më të rrezikuara në botë.
Z. Steinmeier gjithashtu foli për "shtyllat e padukshme" të shoqërisë gjermane, përfshirë arkëtarët, shoferët e autobusëve dhe kamionëve, furrat e bukës, fshatarët dhe mbledhësit e plehrave.
"Rreziku nuk është shmangur ende. Por ne mund të themi sot se ... secili prej jush ka shpëtuar jetë dhe shpëton gjithnjë e më shumë çdo ditë", tha ai.
Steinmeier u zgjodh në vitin 2017 për të qenë presidenti gjerman, i cili është një rol kryesisht ceremonial pasi kreu i qeverisë është kancelari.



