Rikthimi i Berluskonit/ “Jezu Krishti i politikës” që ia del të ngrihet pas çdo rrëzimi

Rikthimi i Berluskonit/ “Jezu Krishti i politikës” që ia del të ngrihet pas çdo rrëzimi

Nga këngëtar në kryqëzorë, manjat i mediave, pronar i një klubi futbolli, kryeministër, evazor i dënuar me vendim gjykate dhe tani kingamaker.

Silvio Berluskoni ka bërë një rrugë të gjatë dhe në moshën 81-vjeçare është ende i gatshëm për të vijuar politikën aty ku e la pak vite më parë. Për vite me radhë, ai ia ka dalë të mundë rivalët politikë, të përballet me hetuesit e skandalet seksuale si dhe të rikthehet sërish në politikë. Ndërsa italianët përgatiten të shkojnë në kutitë e votimit më 4 mars, ish-kryeministri i tyre 4 herë është sërish në qendër të vëmendjes me koalicionin e tij që pret të bëhet më i madhi i legjislaturës së re.

“Forca e Berluskonit është e jashtëzakonshme. Ai ka një aftësi të habitshme për t’u rezistuar goditjeve”, thotë Giovanni Orsina, autor i “Beluskonizmi dhe Italia: Një interpretim historik”. “Duket sikur nëse nuk është në qendër të vëmendjes, për të është njësoj si të kishte vdekur”, thotë Orsina.

“Jam Jezu Krishti i politikës. Jam viktimë e duruar, e gjej gjuhën me këdo, sakrifikoj vetën për të tjerët”, ka thënë vetë Berluskoni.

E ndërsa përgatitet për të shkruar kapitullin e ri, ja disa nga momentet më të rëndësishme të sagës së tij.

Këngëtari

Berluskoni ka lindur në familjen e një bankieri në Milano, edhe pse veten e përshkruan si “fëmijë lufte”. Kjo sepse familja e tij u largua nga vendi ku jetonte për t’i shpëtuar luftës dhe bombardimeve. Puna e tij e parë ishte në moshën 8-vjeçare, kur milte lopët dhe paguhej me djathë. Pasi studioi drejtësi, Berluskoni i ri punoi si këngëtar në kroçera dhe klube nate, ku improvizonte këngë për audiencën. “E kam shijuar gjithmonë gjetjen e ritmit”, i ka thënë ai Canale 5-s në një intervistë në nëntor. Karriera e tij si këngëtar përfundoi për shkak të të atit. “Babai më tërhoqi veshin dhe më tha se nuk mund të isha këngëtar gjithë jetën”, tregon ai.

Ndërtimi i një perandorie

Pasi bëri para në fushën e pasurive të patundshme, ai bleu kanalin kabllor të Milanos në vitin 1978. Ky ishte hapi i tij i parë në televizion. Me një sërë telenovelash dhe shfaqjesh ku nuk mungonin femrat e bukura, ai shënoi fillimin e një perandorie private që do të rivalizonte rrjetin shtetëror, RAI.   

Por Berluskonit nuk i ka munguar edhe ndihma nga miq me influencë. Pasi tri qytete të mëdha ndaluan transmetimet private me qëllim bllokimin e rrjetit të tij në vitin 1984, kryeministri socialist, Bettino Craxi, një mik i tij i ngushtë, kaloi një ligj që i dha një dorë.

Sot kompania e tij me bazë në Milano, Fininvest SpA, operon në media, bioteknologji dhe financë, përfshirë edhe dy grupet Banca Mediolanum SpA dhe transmetuesin Mediaset SpA. Berluskoni vlen plot 8.6 miliardë dollarë sipas Indeksit të Miliarderëve, hartuar nga agjencia Bloomberg.

Lot nën dush

Berluskoni ka qenë për muaj të tërë në dilemën nëse duhej të hynte në politikë, pasi shqetësohej se rivalët do ta sulmonin për interesat e bizneseve të tij. “Çfarë duhet të bëj? Ndonjëherë nis e qaj kur jam nën dush”, i rrëfeu ai këshilltarit të tij Ezio Cartotto, në vitin 1993.

I përshtatshëm për një pronar mediaje, mesazhi që njoftonte vendimin për të hyrë në politikë u përmblodh në 9 minuta një vit më pas. Ai njoftoi se krijimin e Forza Italias, partia e tij që e mori emrin nga brohoritjet e tifozëve për Kombëtaren e futbollit. Mes themeluesve të tjerë krah tij ishte edhe Antonio Tajani, sot kreu i Parlamentit Europian.

Në zgjedhjet e marsti të 1994-s, Forza Italia doli forcë e parë me 21% të votës së përgjithshme dhe Berluskoni u bë kryeministër dhe për herë të parë drejtues i koalicionit të djathtë të qendrës.

Ai tha se hyri në politikë “sepse trashëgimtarët e komunizmit mund ta merrnin pushtetin pas shkatërrimit të demokracisë nëpërmjet përdorimit politik të drejtësisë”. Kritikët e tij thonë se ai e bëri këtë hap thjesht për të mbrojtur bizneset e veta.

Martesa dhe divorce

Çdo të hënë, Berluskoni drekon me fëmijët e tij në vilën e shekullit XVIII në afërsi të Milanos. Ai ka dy fëmijë nga martesa e parë: Maria dhe Pier Silvio; dhe tre nga martesa e dytë: Barbara, Eleonora dhe Luigi. Berluskoni dhe ish-aktorja Veronica Lario u divorcuan në vitin 2014, por beteja e tyre në gjykata vijon edhe sot. Lario ka apeluar në Gjykatën e Apelit të Milanos vendimin që e konsideron të panevojshme pagesën prej 1.4 milionë euro në muaj që Berluskoni duhet t’i japë asaj.

Fundi i martesës së tij përkoi me skandalin e njohur si festat “bunga bunga” të seksit, të cilat vetë ai preferonte t’i quante “darka elegante”. Berluskoni ka mohuar të ketë paguar vajza për seks. “Nuk e kam kuptuar kurrë ku qëndron kënaqësia kur ti nuk përjeton ndjesinë e të bërit për vete të një femre”, ka thënë ai. E dashura e tij aktuale është 49 vjet më e re.

Miku i ngushtë Vladimir

Berluskoni dhe Vladimir Putin u takuan për herë të parë në vitin 2001, në Samitin e të Tetëve, në Genoa, Itali. Që prej atëherë, ata kanë festuar bashkë ditëlindje dhe kanë bërë pushime herë në vilën e Berluskonit në Sardenja e herë në shtëpinë e pushimit të Putinit në Detin e Zi.

Berluskoni e quan Putinin “Lideri numër një në botë”. Në vitin 2015, ndërsa sanksionet ishin ende në fuqi, ai vizitoi Krimenë së bashku me Putinin duke hapur një pije 240-vjeçare në një qilar ukrainas, zonë e aneksuar nga Rusia. Për 65-vjetorin e Putinit vitin e kaluar, Berluskoni i dhuroi një mbulesë krevati me një foto gjigante të të dyve duke shtrënguar duart.

Të tallesh me njerëzit

Berluskoni ka një repertor të mirëfilltë gafash gjatë mandateve të tij kryeministrore. Në vitin 2002, ndërsa pozonte në Samitin e Liderëve Europianë në Cacares, Spanjë, ai bëri shenjën e brirëve pas kokës së ministrit të Jashtëm spanjoll, Josep Pique. Në Evropën Jugore, ky gjest bëhet për një mashkull që është tradhtuar nga gruaja.

Në vitin 2009, në Samitin e NATO-s në Baden-Baden, ai e la kancelaren gjermane ta priste në tapetin e kuq, ndërsa ai fliste në cellular pak metra më tutje. Buzëqeshja e mirëseardhjes në fytyrën e Merkelit u zbeh me kalimin e minutave, derisa vendosi t’i kthente shpinën e të futej brenda.  Berluskoni po fliste me kryeministrin turk, Erdogan.

Në të njëjtin vit, Berluskoni u sulmua fizikisht në Milano, kur një burrë i hodhi një suvenir metali në fytyrë. Atij iu thye hunda dhe dy dhëmbë. Agresori u lirua pa akuza për shkak të problemeve mendore.

Problemet me drejtësinë

Në vitin 2013, Berluskoni e përshkoi veten si “njeriu më i përndjekur në historinë e botës dhe njerëzimit”. Ai u dënua për mashtrim me taksat dhe iu hoq mandati në Senat pas më shumë se dy dekada si parlamentar. Berluskoni u dënua me shërbim në komunitet, praktikisht ndihmë në një azil të moshuarish. “Jam i kënaqur. Atje ka njerëz të moshuar që pranojnë të hanë vetëm nëse jam unë ai që i ushqen”, tha ai duke shtuar më tej: “Jam kthyer në komunist”.

Berluskoni e gjen gjithmonë një rrugëdalje

“Nga çdo e keqe duhet të mësosh si të nxjerrësh diçka të mirë”, ka thënë ai në një intervistë për RAI-n vitin e kaluar. “Siç do të thoshte im atë, duhet ta mbash gjithmonë diellin me vete, për t’ua ofruar  njerëzve që takon”, ka thënë ai. / Bloomberg / Përgatiti: Gazmira Sokoli / 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy