Policia ka reaguar lidhur me vrasjen e 37-vjeçares në Tiranë nga motra e saj. Në njoftimin zyrtar, një ditë pasi ka ndodhur ngjarja, policia thotë se familjarët e raportuan si vdekje natyrale, por pas ekzaminimeve janë konstatuar plagët në trup.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, rreth orës 11:40, teksa është marrë njoftim se në rrugën "Hajdar Hidri", shtetasja Amanda Pushani, 37 vjeçe, kishte ndërruar jetë dyshohet për shkaqe natyrale.
Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Policisë kanë kaluar menjëherë në vendngjarje, dhe pas konstatimit të trupit të pajetë të 37 vjeçares, kanë vijuar veprimet hetimore të thelluara në lidhje me rastin, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Pas kryerjes së autopsisë ka rezultuar se shtetasja Amanda Pushani, 37 vjeçe, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga një mjet prerës.
Në vijim të veprimeve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda arrestuan shtetasen Marsela Pushani, 40 vjeç, (motrën e saj), banuese në Tiranë, për veprën penale "Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", pasi ditën e djeshme, gjatë një konflikti ka goditur me mjet prerës shtetasen Amanda Pushani, e cila si pasojë e plagëve të marra, ka ndërruar jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.



