
Si çdo të diel banorët e fshatit Bërxullë kanë dalë në protestë kundër projektit të rrugës Thumanë-Kashar duke ripërsëritur se kontratat janë abuzive dhe se kjo çështje do të shkojë në Gjykatë. Kryeplaku i fshatit Muharrem Koni deklaroi për mikrofonin e MCN Tv se përfshirja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës në kontratë është e jashtëligjshme. Sipas Konit, projekti fillestar është devijuar pasi janë favorizuar pushtetarët.
MIE duke qenë organ ekzekutiv merr përsipër dhe futet si kontraktor me 'Gener 2', ku firma nuk njihet si kontraktor, por i bie të njihet si nënkontraktor. Eshtë koncesion i fortë. Ministria është në shkelje flagrante të ligjit. Nuk mund të jetë kontraktor. Sipas kontratës MIE merr përsipër dëmshpërblimet, por sipas kontratës këto proceduara duhet t’i kishte bërë para 12 muajsh. Dhe kur Gener 2 të zbriste në terren të ishte e hapur fusha. Gener ka 3 muaj që ndërton, dhe vijon aktivitetin duke shkelur ne ligje pasi merr përsipër.
Janë shumë banesa që prishen në 100 metra katrorë. Bashkë me banesat është dhe linja e intekonjuksionit, por nga zhvendosja e saj preken dhe dhjetë banesa të tjera. Kontrata është abuzive. Gjurma e projektit është e devijuar. Kanë favorizuar personat që kanë blerë tokat paralel me Rinasin dhe ish-pushtetarët që kanë paguar për ta devijuar këtë projekt që të mos prekeshin pronarët e tyre. Nëse do ishte projekti i parë nuk do prekeshin më shumë se dy banesa.
Do e çojmë çështjen në Gjykatë, rruga nuk mund të bëhet me këto shkelje, do ta çojmë deri në fund këtë protestë prej 76 ditësh. Nuk do të dorëzohemi.
Një tjetër banore tha se me shpronësimin që i kanë premtuar nuk mudn të ndërtojnë as dy dhoma
Jemi 5 pjesëtarë, më prishën 45 dylim tokë, me këtë tokë punojmë. Me një rrogë 500 mijë lekë jemi. Ne jetojmë me këtë tokë. Asnjë person nuk ka ardhur. Kemi shpenzuar shumë. Me atë kohë kur e kemi bërë shtëpinë kemi shpenzuar 120 milionë lekë. Banesën e kemi ndërtuar në 2002. Me shpronësimin që thonë, unë nuk ndërtoj dot as dy dhoma.



