
Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, me anë të një postimi më median sociale Twitter, ka reaguar sot pas vizitës së realizuar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabril Escobar.
Sipas Kim, në vizitën e tij, Escobar ka përcjellë dy mesazhe kryesore atë të mbështetjes amerikane për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe luftën kundër korrupsionit.
Ambasadorja shkruan se pret me padurim forcimin e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
“Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Escobar falënderoi Shqipërinë për partneritetin e fortë dhe ripohoi mbështetjen e fortë të SHBA-së për Shqipërinë për anëtarësimin në BE. Ai nënvizoi fokusin e SHBA-së në luftën kundër korrupsionit, mosndëshkimit dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Ne presim me padurim forcimin e marrëdhënieve: rritjen e bashkëpunimit tonë të mbrojtjes si aleatë të NATO-s; krijimin e më shumë mundësive për tregti dhe investime; duke punuar së bashku për integrimin rajonal dhe çështjet globale, veçanërisht si anëtarë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 2022” shkruan Kim.
Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar vizitoi dje Shqipërinë, ku u takua me kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe udhëheqës të tjerë.
Gjatë takimeve të tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari Escobar vuri në dukje fokusin e Shteteve të Bashkuara në luftën kundër korrupsionit, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjeve për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Kjo vizitë e Escobar-it është në vazhdën e një sërë takimesh që ai po zhvillon në gjithë rajonin.



