
Gazetari Mentor Kikia në studion e MCN Live ka komentuar lidhur me opinionistët që ftohen në media ku u shpreh se ky është një problem shumë i rëndësishëm, serioz dhe i gjerë.
Ai tha se i vjen mirë që edhe pse tek- tuk preket do duhet që në fund njerëzit e medias të fillojnë të merren dhe me veten. Sipas tij, e gjithë kjo që ofrohet është një tallava ku të gjithë flasin dhe nuk thonë asgjë dhe se etja për klikime ka shkatërruar gazetarinë.
Ne mendojmë se kemi detyrë të merremi vetëm me të tjerët, por duke qenë se media është më shumë se sa kaq sepse për hir të faktit që ndiqet, rrjetet sociale e kanë bërë atë të pranishme te çdokush mediat e orientojnë por dhe çorientojnë, informojnë dhe deformojnë publikun, pra sipas qëllimit. Këto programe politike janë në numër shumë të madh, mua më rezulton se vetëm në televizionet e Tiranës janë rreth 30 emisione politike në një javë. Media është një makineri që ndikon tek këta njerëz dhe ajo që ndodh konkretisht është se nuk dua të gjykoj kolegët se ndoshta ndonjë dhe nga këta palaçot e studios mund të jem dhe unë por jam përpjekur të jem i drejtë, për faktin se qytetarët kur ulen për të parë një program politik në mbrëmje do duan të mësojnë çfarë ka ndodhur, çfarë mendojnë këta njerëz të mençur që janë aty dhe çfarë parashikojnë ata se mund të ndodhë dhe çfarë i ofrohet publikut tani. Atij i ofrohen mendime të fabrikuara sepse ka opinionistë që paguhen nga subjekte të caktuar. Shkarkimi në opinion i mendimeve që s’janë të tyre por të subjekteve politike dhe që e përcjellin përmes këtyre njerëzve në publik.
Më tej ai theksoi se këto programe po shndërrohen në një lloj show ku inskenohet debate, konflikte, këta njerëz bëjnë sikur revoltohen, zihen bërtasin sepse në fund rezulton se ky format është më i suksesshëm se sa kur një njeri vjen dhe thotë çfarë ka ndodhur, sepse sipas tij këtë se do askush.
Është kjo tallava ku të gjithë flasin përnjëherë, të gjithë bërtasin, shajnë, asnjë mendim se çojnë deri në fund dhe ajo që mbetet në mendjen e shikuesit është o sa mirë ja bëri, i tha plerë etj etj. dhe ajo që ndodh është se kjo merret dhe i shpërndahet publikut në forma të tjera, ja çfarë ndodhi në studio, e shau filanin, kjo ka prodhuar një format negativ të programit televiziv të debatit, ku në fakt ata njerëz të mençur duhet të flasin për të ftilluar ata të tjerët që janë poshtë dhe në fund ajo që merret është produkti i këtij sherri.
Kikia tha se të gjitha lajmet që prodhohen nga programet televizive janë vetëm këto sherret sepse këtë u japin ne njerëzve, dhe nëse u japim sherr, ata sherr do kërkojnë dhe nëse u jep çdo ditë sherrin vjen një ditë që ai mendon se ky është ushqimi më i mirë.
Në këtë mënyrë ne kemi bërë që ata të kërkojnë shijen e keqe të gjithë kësaj. Ka degradim politik dhe moral, ku etja për klikime po i çon drejt këtyre sjelljeve duke shkatërruar në këtë mënyrë gazetarinë dhe këta njerëz qëllimisht krijojnë të tilla situata në studio.



