
Në Kosovë po hartohet një ligj për pagat. Ky i fundit pritet të votohet në Parlament më 31 dhjetor. Javët e fundit, në Kosovë janë shtuar kërkesat për rritje pagash në sektorë të ndryshëm. Mjekët dhe mësuesit ishin të parët që kërkuan rritje pagash, duke kërcënuar me greva. Edhe minatorët e Trepçës iu bashkuan pak më vonë.
Në një takim me minatorët sot në Mitrovicë, kryeministri Ramush Haradinaj tha se në kuadër të këtij ligji që po hartohet, i pari pasi Kosova nuk ka pasur një ligj për pagat, ai ka kërkuar që të ulet paga e tij.
“Kam kërkuar prej këtyre që e bëjnë ligjin, që të ulin vetëm një pagë: atë të kryeministrit. U kam kërkuar të mos prekin asnjë pagë që paguhet prej publikut. Kryeministrit po, i takon ta ulë. Kam kërkuar që në të gjithë sektorët të ketë rritje pagash, kostoja shtesë do të jetë 80 milionë euro”, ka thënë ai.



