Pas akuzave të bera në Kuvend nga nënkryetari i LSI, Luan Rama, ka reaguar menjëherë deputeti socialist Vladimir Kosta.
Në fjalën e tij, Luan Rama ka deklaruar se Kuvendi nuk po ndjek zbatimin e ligjeve për të luftuar kultivimin e lëndëve narkotike, fenomen për të cilin edhe institucionet ndërkombëtare kanë shprehur shqetësim. Një problem tjetër shumë i rëndësishëm, sipas tij, është edhe asgjësimi i lëndëve narkotike të sekuestruara, që është kryer në shkelje me ligjin.
Lidhur me këtë deklarate të bërë nga Luana Rama, ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social “Facebook” deputeti Vladimir Kosta.
Ai është shprehur se Luan Rama nga kuvendi ka folur sikur ka ardhur nga hëna. “Foli sikur nuk e njeh punën e Ministrisë se Brendshme kundër drogës. A nuk ka një zv/ministër në këtë institucion LSI? LSI nuk duhet ti shmanget përgjegjësisë në raport me drogat në Shqipëri” shkruan Kosta.
Statusi i Plotë
LUAN RAMA FOLI SIKUR KA ARDHUR DJE NGA HENA
Aleatët tanë sillen sikur vetëm muajin e fundit janë bërë pjesë e qeverisë. Vetëm keto javë po zbulojnë se reformat nuk janë bërë siç duhet dhe se kanabisi është problem. Ku ishin gjatë katër viteve? Luan Rama foli në Kuvend sikur ka mbërritur dje nga hëna. Foli sikur nuk e njeh punën e Ministrisë se Brendshme kundër drogës. A nuk ka një zv/ministër në këtë institucion LSI? LSI nuk duhet ti shmanget përgjegjësisë në raport me drogat në Shqipëri. Kanë nisur “gjahun” për të gjetur fajtor kur edhe vetë ata janë nxitësit e këtij problemi duke mos denoncuar asnjë rast të vetëm në kohën e zhvillimit të këtij fenomeni. Nëse do isha në vendin e Edi Ramës nuk do e lejoja më ketë shfaqje dhe sjellje të dëmshme për qeverinë dhe PS nga aleati ynë. Sepse LSI flet dhe sillet sikur është në çadër dhe jo në Qeveri. Më mirë të marrë fund që tani koalicioni dhe të shkojmë në zgjedhje që tani, por pa këtë aleat dashakeq.



