Kryeministri Edi Rama pasi u rrëzua dekreti i Metës për rikthimin e ndryshimeve në Kod Zgjedhor ka thënë se presidenti sfidoi Parlamentin.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar sot në Kuvend se rivali i tij politik, Lulzim Basha nuk po bën asgjë për të ardhur në pushtet.
Rama tha se Meta nuk ka vlerësim për deputetët e Kuvendit, ndërsa për Bashën shtoi se “pret që të vijë në pushtet përmes biologjisë”.
"Sipas Metës, ky Parlament nuk ka legjitimitet për të bërë punën e tij. Meta sfidoi parlamentin me kthimin e kodit. Se ne këtu ju kemi sjellë bashkë me Ballën dhe iu kemi gjetur në Hënë, në Mars, madje ndonjërin dhe në Jupiter. Në fakt, jo të gjithë ju që jeni këtu keni ardhur me firmën e Bashës dhe Kryemadhit. Këta të dy kanë firmosur për ju. Madje, për disa ka firmosur doktor Peço Vasili. Prandaj Meta thotë se sipas tij ju nuk ekzistoni, sipas meje ju jeni një aksident i dobishëm në këtë fazë se falë jush e bashkëpunimit me ju kemi arritur të bëjmë atë që s'do e kishim bërë dot nëse këtu do ishte Monika, Luli dhe shokët e tyre që nuk duan zgjedhje, nuk duan. Luli pret që biologjia të kryejë rotacionin. Unë të largohem nga jeta dhe Luli të bëhet kryeministër. Stragjegjia është prit biologjinë, ndërkohë bën hajgare me aritmetikën. Se e tha sot e dëgjuat? 60-15 bëjnë 50. Ndërkohë që Meta ka një problem tjetër shumë të qartë sa që është e dhimbshme nga ana njerëzore ta shikosh katandinë e një individi që Shqipëria i ka dhënë atë që s'i ka dhënë askujt që nga dita e parë pas ngritjes së flamurit”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama tha se presidenti Ilir Meta e ka dërguar çështjen e Kodit Zgjedhor në Komisionin e Venecias se ai sipas tij do të hedhë në erë zgjedhjet.
"Ky ligj shpëton demokratët, çokollatën blu e ke me Metën dhe Monikën brenda. Ke dhe Vasilin që e mbështjell çokollatën. Ne nuk kemi çfarë presim. Sa i përket përpjekjes së Metës për ta bllokuar këtë proces duke e çuar në komision të Venecias, ky tregon se ku do të dalë ai. Do të dalë aty ku faktikisht deshte të dilte edhe më parë: të hedhë në erë zgjedhjet. Dëgjova zonjën duke thënë se ju e bëni këtë se e dini që do humbni, prandaj mos e humbni. Këta të gjithë thoni 'me këtë fitojmë ne, mos e bëni'. Jo mo këtë do e bëjmë sepse fiton zgjedhësi. Basha thotë Rama ik dhe një program se ka", tha Rama.



