Policia greke ka goditur një grup që trafikonte emigrantë shqiptarë të cilët kërkonin të hynin në Greqi. Shtatë shqiptarë dhe 4 shtetas grekë u vunë në pranga. Kreu i grupit ishte një shqiptar i moshës 40-vjeçare. Në grup kishte edhe 4 “punonjëse” femra, përfshi këtu edhe një grua e cila ashtu si shqiptari, kishte rol drejtues në grup.
Rradha e punës së trafikantëve ishte e thjeshtë. Fillimisht bëhej kontakti me të interesuarit, dhe pas pagesës (që ishte përgjithësisht 500 euro personi), emigrantët merreshin pas kalimit të pikave të caktura të kufirit të gjelbër me makina, e më pas dërgoheshin në destinacionet e kërkuara prej tyre. Sipas hetimeve të deritanishme rezulton se grupi në fjalë të ketë trafikuar rreth 180 persona, ndërsa shuma e gjeneruar e parave arrin në shifrën e 100 mijë eurove.
Me përfundimin e aksionit, policia ka sekuestruar një sasi të madhe parash, por edhe armë të ftohta, që “taksistët” i mbanin për raste të ndonjë konflikti të mundshëm. Janë sekuestruar gjithashtu edhe armë zjarri. Për të komunikuar me “shefat” mbaheshin edhe radio marrëse.



