
Në fjalën e tij para protestuesve të mbledhur në bulevard, kreu i PD-së, Sali Berisha, tha se ideali që i ka mbledhur të gjithë është liria. Duke iu drejtuar kryeministrit Rama, Berisha tha se ideali i vetëm nga i cili ai udhëhiqet është pushteti.
Berisha tha se forca e popullit opozitar e ka potencialin të shembë çdo bunker.
Ju erdhët këtu sepse ju thirri ora e lirisë. Nuk pranoni të jeni qytetarë të të drejtave të dhunuara. Edi Rama ka vendosur sot monizmin e plotë. Ai përsëri ia mbathi, përsëri do ia mbathë. Kohët e tij janë të numëruara. Në emër tuaj i them atij këto fjalë: Edi Rama, ne të dy sot jemi armiq. E rëndë dhe e hidhur të them këtë fjalë, por zemra ime tjetër fjalë nuk nxjerr sepse ti ke për ideal pushtetin dhe vetëm pushtetin. Kurse unë me këta burra e gra kemi për ideal lirinë dhe vetëm lirinë. Ne jemi armiq pushtetin e do për të pasuruar veten dhe për të varfëruar e poshtëruar qytetarët. Unë dhe këta qytetarë këtu, lirinë e duam për t’u kthyer shqiptarëve dinjitetin. Edi Rama, ne jemi armiq. Sot ti ia ke mbathur, gabim ke bërë. Ke blinduar dyert, gabim ke bërë. Ne nuk durojmë padrejtësitë, kur të themi mbathja, do t’ia mbathësh. Mos harro se me forcën e idealeve të lirisë, ne thërrmojmë çdo bunker. Edi Rama, ti je problem i madh i lirisë së shqiptarëve.
Edi Rama jemi sot këtu për t’u betuar për flamur se votën kurrë nuk ta falim, pushtetin e marrë me votë të vjedhur kurrë nuk ta njohim. Mos luaj me votën sepse jemi të vendosur të mos pranojmë kurrë.



