Një studim i ri amerikan sugjeron se konsumimi i lartë i ushqimeve shumë të përpunuara mund të jetë një faktor kyç në rritjen shqetësuese të rasteve të kancerit të zorrës së trashë dhe rektumit tek të rinjtë.
Këto ushqime, nga snack-et e paketuara dhe buka industriale, deri te pica e ngrirë dhe drithërat e ëmbëlsuar, janë bërë pjesë e përditshme e dietave moderne. Paralelisht, mjekët po shohin gjithnjë e më shumë raste të kancerit kolorektal te njerëzit nën 50 vjeç, shpesh të diagnostikuar në faza të avancuara.
Studiuesit analizuan të dhënat shëndetësore të mbi 29 mijë grave në SHBA për më shumë se 20 vite. Ata zbuluan se gratë që konsumonin më shumë ushqime shumë të përpunuara kishin: 45% rrezik më të lartë për zhvillimin e adenomeve – polipe që mund të shndërrohen në kancer. Shumica e polipeve janë të padëmshme, por disa mund të zhvillohen në kancer me kalimin e viteve. “Sa më shumë të konsumoni, aq më i lartë rreziku” Sipas dr. Andrew Chan nga Mass General Brigham Cancer Institute: “Rreziku rritet në mënyrë lineare. Sa më shumë ushqime shumë të përpunuara hani, aq më i madh është potenciali për polipe të zorrëve.”
Ai shtoi se ulja e konsumit të ushqimeve shumë të përpunuara, të pasura me sheqer, kripë, yndyrë të ngopur dhe aditivë, mund të ndihmojë në frenimin e rritjes së rasteve të kancerit kolorektal në moshë të re.
Studimi nuk gjeti lidhje mes këtyre ushqimeve dhe lezioneve serruese, një tjetër lloj paraprak i kancerit të zorrëve.
Rezultatet mbeten të vlefshme edhe kur merren parasysh faktorë si obeziteti dhe mungesa e fibrave në dietë.
Studimi i publikuar në JAMA Oncology nuk provon se ushqimet shumë të përpunuara shkaktojnë kancer, por sugjeron një lidhje të fortë që meriton vëmendje.
Studiuesit tani po analizojnë faktorë të tjerë që mund të shpjegojnë rritjen e rasteve tek të rinjtë, dhe po hetojnë nëse disa ushqime shumë të përpunuara janë më të dëmshme se të tjerat.
Nga vijnë shumica e ushqimeve të përpunuara në dietë?
Tek gratë në studim, pjesa më e madhe e konsumit vinte nga: bukët dhe ushqimet industriale të mëngjesit, salcat, lyerjet dhe përbërësit e gatimit, pijet e ëmbëlsuara dhe ato me ëmbëlsues artificialë, Dr. Chan përfundon se vetëm dieta nuk e shpjegon të gjithë trendin:
“Shumë pacientë me kancer të hershëm të zorrëve ushqehen shëndetshëm. Ka faktorë të tjerë ende të panjohur.”



