
Jimmy Carter ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është ndarë nga jeta në moshën 100-vjeçare.
Siç konfirmoi zyra e tij, ish-Presidenti u largua në paqe në shtëpinë e tij në Plains, Georgia, ku merrte kujdes shëndetësor që nga shkurti i vitit 2023.
Vitin e kaluar ai filloi të merrte kujdes në shtëpi pasi vuante probleme shëndetësore, përfshirë një melanoma që u përhap në mëlçi dhe tru.
Carter jetoi më gjatë se çdo president tjetër në historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Po ashtu ai pati edhe martesën më jetëgjatë- 77 vite me Rosalynn, i cila ndërroi jetë në nëntor të vitit 2023.
Presidenti i SHBA Joe Biden e përshkruan Carterin si "një njeri me parime, besim dhe përulësi", ndërsa presidenti i sapozgjedhur Donald Trump thotë se amerikanët i detyrohen Carterit një "borxh mirënjohjeje".
Biden e quajti kolegun demokrat një "mik të dashur" dhe tha se do të organizonte një funeral shtetëror për të në Uashington DC.
Carter shërbeu si presidenti i 39-të për një mandat nga viti 1977 deri në vitin 1981 dhe ishte presidenti më jetëgjatë në historinë e SHBA.
Flamuri amerikan në Shtëpinë e Bardhë po valëvitet në gjysmë shtizë, një shenjë që kombi është në zi.
Kur një president vdes, flamujt jashtë të gjitha ndërtesave federale valëviten në gjysmë shtizë për 30 ditë.
Kjo do të thotë se në të gjithë Uashingtonin, flamujt do të jenë ende në gjysmë shtizë më 20 janar, ditën kur Presidenti i zgjedhur Donald Trump bën betimin e marrjes së detyrës.



