
Kryeministrja daneze Mette Frederiksen mbajti një fjalim në Parlament, në të cilin pjesa e parë u shkrua duke përdorur mjetin e inteligjencës artificiale ChatGPT, me qëllim që të nënvizonte si aspektin revolucionar, ashtu edhe rrezikun që lidhet me këtë teknologji.
Gjatë vlerësimit të saj politik, në fund të seancës parlamentare, kryetarja e qeverisë daneze deklaroi se roboti bisedues i zhvilluar nga OpenAI është i aftë të mashtrojë.
“Ajo që sapo lexova nuk është e imja. As e ndonjë qenieje tjetër njerëzore”, u shpjegoi Frederiksen çuditërisht deputetëve pas prezantimit të saj.
Ajo vuri në dukje se megjithëse jo gjithmonë i saktë në detajet e programit të punës së qeverisë ose shenjat e pikësimit, ajo që ChatGPT është në gjendje të bëjë është edhe magjepsëse dhe e frikshme.
Disa nga fjalitë e fjalimit që u raportuan në media përfshijnë: “Edhe pse gjatë rrugës kemi hasur në sfida dhe kundërshtime, jam krenare për atë që kemi arritur së bashku në vitin e kaluar parlamentar” dhe “Kemi punuar shumë për të bashkëpunuar. mes palëve dhe për të siguruar një të ardhme të fortë dhe të qëndrueshme në Danimarkë”, ose “Ne kemi ndërmarrë hapa për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për të siguruar një shoqëri më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse ku të gjithë qytetarët kanë mundësi të barabarta”.
ChatGPT përfaqëson një nga shembujt më të fundit të aftësive të jashtëzakonshme të Inteligjencës Artificiale, i cili gjithashtu ngre një sërë shqetësimesh në lidhje me abuzimet që mund të lejojë teknologjia, veçanërisht në lidhje me dezinformimin ose zëvendësimin masiv të punonjësve njerëzorë.
Kjo çështje është fokusi i një takimi të nivelit të lartë mbi tregtinë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian që po zhvillohet sot në Lulea të Suedisë. Një grup sipërmarrësish dhe ekspertësh, përfshirë Sam Altman, krijuesin e ChatGPT, kanë dhënë alarmin për kërcënimet e “zhdukjes” për njerëzimin që vijnë nga rritja e kësaj teknologjie.



