Katërmbëdhjetë persona janë shoqëruar nga policia për shpërthimin e mbrëmjes së të hënës në rrugën “Taulantia” në Durrës. Një sasi eksplozivi e vendosur pjesën e përparme të automjetit të Gerti Aleksit, nëndrejtor i Aluiznit, shpërtheu mbrëmë fatmirësisht pa shkaktuar të lënduar.
Policia dyshon paraprakisht se ngjarja lidhet me ndonjë konflikt që lidhet me punën e nëndrejtorit të ALUIZNI-t.
Shpërthimi ka qenë i fortë duke shkaktuar panik tek banorët përreth.
“Rreth orës 18:15, në lagjen Nr.1 dyshohet se kanë vendosur një sasi të vogël lënde eksplozive në pjesën e përparme të mjetit tip Fuoristradë me targa AA 780 OL, në pronësi të shtetasit A.S. banues në Durrës, pa precedentë penalë. Mjeti ka qenë i parkuar. Për pasojë janë shkaktuar dëme të vogla materiale”, thuhet në njoftimin e policisë në lidhje me rastin.



