Përgatë aksit rrugor Kukës -Kalimash të Rrugës së Kombit një kamion me birra nga Kosova ka shkaktuar një incident të pazakontë për vendin tonë. Kthesën në afërsi të Kolshit drejtuesi i kamionit, të ngarkuar plot me birra, nuk mundi ta merrte siç duhej dhe për pasojë nga lëkundjet i gjith malli përfundoi në rrugë.
Një pjesë e madhe e shisheve të rëna në autostradë janë thyer ndërsa ata që e kanë pësuar nga kjo ngjarje kanë qenë disa drejtues automjesh, të cilëve u janë çarë gomat e automjeteve. Gjithashtu autostrada ka mbetur e bllokuar për disa minuta, kohë e mjaftueshme kjo që firma mirëmbajtëse e rrugës të bënte të mundur pjesërisht lëvizjen e lirë të automjeteve.
Policia rrugore mbërriti në vendngjarje fill pas incidentit dhe po punon ende për zbardhjen e shkaqeve, ndërsa njofton zyrtarisht se drejtuesi i mjetit ka marrë masë administrative. Fatmirësish aksidenti nuk ka krijuar pasoja në njerëz por vetëm në dëme materiale.



