Debati mbi përdorimin e fondeve rezervë të shtetit për organizimin e aktiviteteve artistike dhe investimet publike ishte në fokus të diskutimit në studion e MCN Informacion. Të ftuarit ngritën pikëpyetje mbi mënyrën e përdorimit të parave publike, rolin që duhet të ketë shteti në ekonominë e tregut, si edhe pasojat që mund të sjellin vendimet për investime të tilla.
Pedagogu Ervis Mile tha se përpara përplasjes politike mes akuzave të opozitës dhe argumenteve të qeverisë, duhej të ishte zhvilluar një debat më i thellë mbi rolin e shtetit në ekonomi.
Janë bërë akuza në protestë ndaj kryeministrit se po shpërdoron fondet rezervë. Nga ana tjetër kemi parë qeverinë dhe kryeministrin që kanë mbrojtur vendimin, duke thënë se gjithçka është bërë në favor të turizmit. Por mendoj se, para se të reshtohemi me njërin ose tjetrin argument, duhej bërë një debat tjetër, që në fakt duhej të ishte zhvilluar më herët: cili duhet të jetë roli i shtetit në një ekonomi tregu? A duhet shteti të jetë vetëm administruesi më i mirë i mundshëm i taksave tona, apo mund të marrë edhe rolin e investitorit, duke pranuar të marrë përsipër edhe risqe? Kur shteti jep 4.2 milionë euro për një koncert, ne e dimë sa kushtojnë këto para, por nuk dimë nëse përfitimet që na premtohen do të realizohen. Ky është debati që duhej bërë.
Ai theksoi se organizimi i koncerteve të artistëve ndërkombëtarë mund të ketë vlerë për promovimin e vendit, por sipas tij vendimmarrja duhet të shoqërohet me transparencë dhe llogaridhënie.
Për Shqipërinë mund të jetë një risi një koncert i Kanye West dhe nuk po them se është gjë e keqe që ai të vijë e të performojë në Tiranë. Nga këndvështrimi i interesit publik, është e pranueshme që të promovohet vendi ynë dhe kultura jonë. Por duhet bërë një llogari e qartë se sa na kushton kjo dhe çfarë përfitimesh sjell. Po aq e rëndësishme është edhe procedura: kush e merr këtë vendim dhe kujt ia kemi dhënë mandatin për të marrë vendime të këtij niveli. Nëse këto standarde nuk respektohen, atëherë nuk mund të flasim për një shtet modern. Sa i përket deklaratave ekstreme të dëgjuara në protestë, një protestë kaq heterogjene prodhon lloj-lloj qëndrimesh. Si qytetar nuk pajtohem me to, madje i dënoj dhe shpresoj të jenë vetëm raste sporadike të një pakice të vogël, jo fryma e përgjithshme e protestës.
Eksperti i mjedisit dhe kërkuesi shkencor Gled Guri u shpreh se shteti mund të marrë rol investitori, por vetëm mbi bazën e projekteve të mirëstudiuara dhe planeve të qarta të biznesit.
Shteti mund të marrë një rol investitori, por kjo duhet të bëhet përmes fondeve specifike dhe projekteve të detajuara, të mbështetura në një plan biznesi ku të përcaktohen qartë investimi, fitimi i pritshëm dhe ndikimi në punësim. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet një vlerësim serioz nëse një investim ia vlen apo jo. Sot shteti merr vendime, por qytetarët nuk kanë mundësi të vlerësojnë nëse investimi do të sjellë përfitime reale. Shqipëria nuk është një vend me mirëqenie aq të lartë sa të shpenzojë fonde emergjence për art dhe kulturë. Këto fusha duhen mbështetur, por fondet rezervë nuk mund të përdoren për to kur vendi përballet pothuajse çdo ditë me situata emergjente.
Ai ngriti gjithashtu shqetësime për ndikimin që ndërhyrjet në zonat e mbrojtura mund të kenë mbi ekosistemin.
Zonat e mbrojtura ekzistojnë pikërisht për të mbrojtur natyrën nga ndërtimet. Ato janë pjesë e politikave të mbrojtjes së mjedisit dhe janë jetike për ekosistemin. Një lagunë na ofron shërbime të rëndësishme, nga prodhimi i kripës që furnizon vendin, te kallamishtet që krijojnë barriera mbrojtëse dhe dunat që mbrojnë vijën bregdetare e ndikojnë në klimën lokale. Nëse ndërtohet në këto zona, pasojat do të jenë si afatshkurtra ashtu edhe afatgjata. Betonizimi krijon një efekt zinxhir dhe mjafton të prishet një hallkë që të dëmtohet i gjithë ekosistemi.
Ndërkohë, aktivisti Ilir Copja kritikoi mënyrën e vendimmarrjes së qeverisë, duke e cilësuar atë të centralizuar dhe pa konsultim real me publikun.
Shqipëria funksionon si një familje patriarkale, ku bëhet sikur pyeten njerëzit, por në fund vendimi merret pa marrë parasysh mendimet e tyre. Askush nuk ka bërë një analizë serioze të risqeve dhe përfitimeve të këtij investimi. Nëse krijohet ky precedent, nesër çdo artist mund të pretendojë që shteti t’i kompensojë të ardhurat. Shteti ka ministri dhe institucione që kanë buxhete të parashikuara për artin dhe kulturën. Nuk është e nevojshme të përdoren fondet rezervë për këto qëllime.
Ai shtoi se përqendrimi i pushtetit ka dobësuar mekanizmat e kontrollit institucional.
Ky është rasti i parë në më shumë se 30 vjet që një qeveri ka një kontroll kaq të madh institucional. Ky kontroll ushtrohet prej vitesh dhe sot pothuajse nuk ka më mekanizma të pavarur që të balancojnë vendimmarrjen. Edhe institucionet e pavarura janë vënë nën ndikimin e qeverisë. Mjafton të kujtojmë mënyrën se si u veprua me administratën publike pas vitit 2013, kur me vendime të Këshillit të Ministrave u anashkalua fryma e ligjit për nëpunësin civil.



