Kompania e automjeteve Toyota Motor Corp. pranoi të hënën se kishte marrë në mënyrë të parregullt certifikatat e automjeteve për shtatë modele makinash duke kryer teste sigurie në mënyra të paspecifikuara nga qeveria, në një goditje të përtërirë për kompaninë pas një vale të fundit të skandaleve të cilësisë në firmat e grupit të saj.
Raste të ngjashme u gjetën edhe në kompanitë Honda Motor Co., Mazda Motor Corp., Suzuki Motor Corp. dhe Yamaha Motor Co., sipas ministrisë së Transportit.
Ministria tha se do të kryejë inspektime në vend në zyrat e prodhuesve të automjeteve dhe do të konsiderojë marrjen e masave administrative.
Çështjet e fundit u zbuluan pasi ministria udhëzoi 85 prodhues automjetesh dhe furnizues të pjesëve për të hetuar nëse certifikatat ishin marrë siç duhet pas një sërë skandalesh në firmat e grupit Toyota.
“Ne prodhuam dhe shitnim makina në masë pa ndjekur procesin e duhur të certifikimit,” tha drejtuesi i Toyota-s, Akio Toyoda në një konferencë shtypi teksa kërkoi falje.
Tre nga shtatë modelet janë ende në prodhim Corolla Fielder, Corolla Axio dhe Yaris Cross, ndërsa pjesa tjetër janë ndërprerë, tha kompania.

Toyota u udhëzua nga ministria që të ndalonte dërgesat e modeleve të prekura, siç ishte Mazda, e cila kishte parregullsi në dy modele makinash dhe Yamaha, e cila kishte parregullsi në një klasë të motoçikletave.
Toyota tha se një hetim i brendshëm është ende në vazhdim, por automjetet në fjalë janë të gjitha të sigurta për t’u drejtuar.
Grupi Toyota është goditur me probleme të cilësisë vitet e fundit. Njësia e saj e makinave të vogla Daihatsu Motor Co tha në dhjetor se të dhënat e sigurisë ishin manipuluar për shumicën e makinave të saj, ndërsa në janar, filiali i Toyota Industries Corp. zbuloi se të dhënat e motorit ishin falsifikuar për vite me rradhë.
Filiali i Toyota-s për prodhimin e kamionëve Hino Motors Ltd., pranoi se kishte mashtruar për të dhënat e emetimit dhe efikasitetit të karburantit në vitin 2022.



