Gazetari Ismet Kallaba, për zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, ku sot është heshtje zgjedhore ndërsa nesër përballen Presidenti aktual Milo Gjukanoviç dhe kandidati i Europa Tani, Jakov Milatoviç, fushatën e tyre e sheh përgjithësisht të qetë.
Në një lidhje për studion e lajmeve të MCN Tv, Kallaba deklaroi se fushata e Milatoviç është mbështetur në çështjet ekonomike të Malit të Zi, ndërsa nga ana tjetër Gjukanoviç përveç çështjeve ekonomike, ka nënvizuar çështjet identitare të Malit të Zi, duke pasur parasysh se këto zgjedhje shihen shumë të rëndësishme për Malin e Zi.
Ai tha se Mali i Zi nuk e ka ndryshuar kursin politik, por kanë ndodhur shumë ndryshime dhe Presidenti është institucioni i fundit që lufton për pavarësinë e Malit të Zi dhe për këtë arsye këto zgjedhje vlerësohen si shumë të rëndësishme për të ardhmen e Malit të Zi.
Teksa sondazhet nxjerrin fitues Gjukanoviç, edhe pse Milatoviç duket se ka fituar mjaft popullaritet, ai shtoi se është një garë shumë e fortë.
Sipas tij, nëse u referohemi të dhënave, në raundin e parë Gjukanoviç ka pak më shumë se 35% të votave, ndërsa Milatoviç rreth 29%, por se Milatoviç ka marrë mbështetjen e pjesës më të madhe të kandidatëve të tjerë dhe ky shihet si avantazh i tij ndaj Gjukanoviç.
Kallaba deklaroi se pritet që gara të jetë e fortë dhe vetëm në fund do shihet rezultati i zgjedhjeve.
Teksa Milatoviç është parë thuajse një fenomen politik, i ardhur nga një parti që ka vetëm 9 muaj që është formuar, i ri, por gjithsesi me eksperienca të mëparshme politike, Kallaba shtoi se Milatoviç ka qenë i panjohur deri në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit 2020, apo më vonë me formimin e qeverisë së re të Malit të Zi, kur ai u bë ministër i Zhvillimit Ekonomik.
Ai është politikan i ri, ka shfrytëzuar pakënaqësinë e krijuar. Për lidhjen me Rusinë, nuk kemi të dhëna për lidhje direkte me Rusinë.
Vetë fakti që mbështetet nga kisha ortodokse serbe dhe Serbia, tregon për lidhjet me Serbinë, por edhe me Rusinë.
Kandidati Milatoviç gjatë fushatës së tij ka qenë shumë i rezervar dhe ka deklaruar publikisht që kursi politik i Malit të Zi nuk do të ndryshojë, qoftë sa i përket NATO-s dhe integrimeve europiane.
Që nga ardhja në pushtet e kësaj shumice parlamentare, Mali i Zi ka ngecur sa i takon integrimeve europiane. Ky është një sinjal që duhet ta kemi parasysh.
Edhe nëse Milatoviç do të zgjidhet President mund ta vazhdojë këtë politikë.
Kjo ka qenë një nga kritikat më të mëdha, se nëse do zgjidhet President Milatoviç, mund të ndryshojë dhe kursi politik i Malit të Zi dhe rrezikon të humbë pavarësinë e tij.
Ndërsa më 1 qershor mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, i pyetur se çfarë do të ndodh me Dritan Abazoviç, Kallaba tha se edhe zgjedhjet Presidenciale, pavarësisht se Lëvizja Qytetare URA nuk ka kandidat të vetë, kjo tregon që Kryeministri aktual i Malit të Zi, nuk ka arritur të rrisë mbështetjen për veten dhe forcën që ai drejton.
Kjo do të vazhdojë dhe në të ardhmen dhe Lëvizja Qytetare Ura për mua ka pësuar rënie të mbështetjes dhe vota dhe kjo do të vazhdojë dhe reflektohet dhe në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.
Megjithëse kjo forcë nuk do të dalë e vetme në zgjedhje.



