Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim, kërkon që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të mblidhet këtë javë dhe t’i dërgojë Kuvendit e Presidencës listën me emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Kim, nuk ka asnjë “arsye praktike” që Gjykata Kushtetuese të mos jetë funksionale deri në 31 dhjetor 2020.
“KED duhet të mblidhet këtë javë për të përfunduar vlerësimin dhe për të dërguar listën e kandidatëve në Presidencë dhe Parlament. Proceset duhet të respektohen, por jo të keqpërdoren. Nuk ka asnjë arsye praktike që Gjykata Kushtetuese nuk mund të jetë funksionale deri më 12/31. Është çështje vullneti. Udhëheqësit duhet të tregojnë vullnetin e tyre të vërtetë”, shkruan Yuri Kim, ambasadore e SHBA në Shqipëri.
Pas ultimatum të ambasadorës së SHBA Yuri Kim, ka reaguar edhe ambasadori i BE Luigi Soreca.
Me anë të një postimi në twitter Soreca shkruan se është e rëndësishme që KED të përfundojë vlerësimin e shpejtë të kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese.
"Është me të vërtetë kritike që KED të përfundojë vlerësimin e shpejtë të kandidatëve për vendet e lira në Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në opinionet e Komisionit të Venecias. Funksionaliteti i plotë i Gjykatës Kushtetuese është një kusht kryesor për të filluar bisedimet e pranimit në Konferencën e Parë Ndërqeveritare," shkruan Soreca.



