Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, e cilëson mënyrë për të ngjallur terror, reagimin e policisë përballë protestuesve opozitarë, pasditen e 20 shkurtit.
Duke folur për “MCN Live” ai deklaroi se u panë elementë të provokimit të policisë.
Sipas tij, gjithçka e bëjnë në mënyrë të qëllimshme, për të ngjallur frikë, në mënyrë që qytetarët të mos dalin në protestë.
Shoh me trishtim rolin e Policisë së Shtetit, si qytetar. Policia ka si mision mbarëvajtjen e këtyre protestave, të jetë garantja e tyre. Ne kemi një bandë se shumica e drejtorëve të policisë janë të emëruar nga krimi dhe ky është rrezik shumë i madh për sigurinë kombëtare dhe jo vetëm për opozitën.
Pashë elementë provokimi të policisë, se isha në protestë. Pa mbaruar fjalën lideri i opozitës, në momentin që u hodhën vetëm dy fishekzjarrë, pa u hedhur ende molotov, policia ndërhyri në mënyrë brutale edhe me gaz edhe me ujë. Një lloj terrori.
Duke u përballur me këtë sjellje të policisë, qytetarët vihen në dilemë a do jenë herën tjetër në protestë. Këta shkojnë dhe arrestojnë 40 persona, në një protestë që ishte shumë më e qetë. Protestat që janë organizuar kohët e fundit nga zoti Berisha kanë qenë protesta model, nuk ka pasur tendencë dhune.
Në aspektin e protestave unë kam vërejtje për opozitën se duhet të jetë shumë më e ashpër. Kemi një polici joprofesionale, kriminale. Padyshim u provokuam, se ti je duke ecur rrugës dhe ai të godet me gazë lotsjellës, apo liderin e opozitës me ujë, ndërkohë që po jepte intervistë. Gjithçka e bëjnë në mënyrë të qëllimshme, për të ngjallur frikë, në mënyrë që qytetarët të mos dalin në protestë.



