Ish-gjyqtari Shaqir Hasani tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është në ditët e veta më të zeza. Duke folur për gjetjet e raportit të KE për drejtësinë, Hasani tha se “jemi në kolaps”. Po ashtu ish-gjyqtari u shpreh se SPAK-u është zgjatim i shpurës qeveritare, duke shtuar se në asnjë akuzë të ngritur nuk urdhërohet kthimi i parave të vjedhura në arkën e shtetit. Hasani u shpreh se nëse PS s’do dëshironte arrestimin e Veliajt, ai do të ishte i lirë edhe sot.
"Sistemi i drejtësisë është në ditët më të zeza të veta. E ashtuquajtura reformë në drejtësi, është shformim i drejtësisë në Shqipëri, sepse ne s’marrim drejtësi. SPAK-u s’është drejtësia, drejtësinë e jep gjykata, SPAK-u është zgjatim i shpurës qeveritare. Ajo mund të arrestojë edhe 100 vet por prapë s’jep drejtësi. Në asnjë akuzë të ngritur s’ka urdhëruar kthimin e parave të vjedhura nga taksapaguesit në arkën e shtetit.
SPAK-u me një mjeshtëri të madhe po bën mbylljen e vjedhjeve. Ky element është shumë deçiziv. Nëse fillon padia sot, merret vendim pas 21-22 vjetësh. Vdesin njerëzit rrugësh dhe varet kush e gëzon atë drejtësi. Presioni është evident. Arrestimet janë me urdhër, me dirigjim. Një prokuror ose gjykatës nëse ka dinjitet, vlerë profesionale, s’ka nevojë për rrogë të madhe dhe badigardë, por për nder dhe dije.
Vlerat njerëzore që e çojnë aty ku thotë ligji. Nëse PS s’do dëshironte arrestimin e Veliajt ai do ishte i lirë edhe sot. S’është çështje prokurorësh, është çështje urdhrash. Unë mendoj që jemi në kolaps. Kam bërë një kërkesë para 6 vjetësh për lirim me kusht, ai mbaroi dënimin e tij dhe çështja s’është gjykuar akoma. Me këto ritme i bie që në 2064 të vijë drejtësia në modelin që duhet të jetë.
Tani shkon një çështje 7 vjet, por kini parasysh sa humbje është për shtetin t’i paguash rrogën një drejtori 7 vjet. Është dubluar administrata! Shkolla e Magjistraturës duhet të ishte liberalizuar, që askujt të mos i cenohet e drejta për t’u bërë gjykatës dhe prokuror. Mbi 80 për qind e gjykatësve dhe prokurorëve kanë lidhje me nomenklaturën e kuqe. Jo vetëm që s’i plotësojmë kushtet, por as jemi afruar për t’i plotësuar kushtet për integrim në BE. Për të ekzekutuar një vendim shkon 10 vjet. Është diçka e pabesueshme. ”



