
Një sulm i mundshëm biologjik është parandaluar në Gjermani. Autoritetet kanë arrestuar javën e kaluar një shtetas tunizian, të cilit i është gjetur material për bombë me ricinë, një helm shumë i fuqishëm.
Arrestimi i kryer në Këln u bë i ditur nga shefi i policisë gjyqësore gjermane, Holger Münch.
“Ka pasur përgatitje konkrete për të kryer një sulm me bombë biologjike. Në Gjermani, kjo do të ishte një gjë e paprecedent”, ka thënë Münch për televizionin publik ARD, duke shpjeguar se personi i arrestuar kishte nisur procesin e prodhimit të ricinës.



