
Tashmë ka nisur shpërndarja e “Pakos së madhe” dhënë nga qeveria si bonus për pensionistët, personat në ndihmë ekonomike, invalidët, gratë kryefamiljare me tre fëmijë dhe buxhetorët në administratën shtetërore.
MCN Tv u ndal në zonën e “Oxhakut” në kryeqytet në një nga pikat e Postës Shqiptare, ku ka nisur shpërndarja e bonusit prej 8 mijë lekësh të reja për pensionistët.
Një nga pensionistët që mori bonusin e cilësoi të mjaftueshëm, duke thënë se do e përdorë për të blerë gjëra.
E mora shpërblimin, nuk i numërova fare, rroftë ai, poshtë ky. Do e përdor për pilaf, pilafi ushqim është. Ai të rrisë pensionin, s’ka nevojë për shpërblim.
Një tjetër pensionist u shpreh i kënaqur me pensionin, ndonëse shtoi se nuk ka nevojë që ta presin, pasi i kanë marrë parasysh gjërat.
Nuk ka nevojë ta presim shpërblimin, ne i kemi marrë parasysh, jetojmë me rrogë, pension. Duhet të punosh kudo që të jesh, pensioni që marrim dhe rroga...
Për shpërblimin faleminderit shtetit. Suksese dhe Kryeministrit Rama se në asnjë kohë tjetër, nuk kemi marrë shpërblim 80 mijë lekë.
Një grua e moshuar tha se në fundvit morën 50 mijë lekë të vjetra shpërblim dhe tani dhe 80 mijë të tjera.
50 i mora në muajin e parë, tani mora 80 mijëshen, faleminderit shumë zotit Rama. Me këtë 80 mijë lekësh, do ha bukë thatë.
Një tjetër zonjë në moshë tha se pensionin e ka 240 mijë lekë të vjetra.
Për mua që jam një njeri, po të dua dhe më mbetet. Unë jam mirë, se kam dhe fëmijët, më ndihmojnë, më gatuajnë.
Një tjetër e moshuar shtoi se për ushqim do e përdorë bonusin e marrë.
Ne s’ngopemi shumë sado të na japin, për ushqim do e përdorim. Mirë deri tani mirë, shyqyr.
Në vijim një tjetër pensionist tha se bonusi ishte i mjaftueshëm, ndonëse e cilësoi si të papritur.
Do e përdorim për të jetuar. Nuk është e plotë, por duhet njohur dhe situata se në çfarë momenti jemi. Ka ardhur se po fillojnë të ngrihen akoma më tepër çmimet.
Është një ndihmë që duhej dhënë ndoshta dhe më parë. E menaxhon vetë lekun, nuk do marrësh atë që është më shtrenjtë, do marrësh atë që është më pak.



