
Një revolucion i ngadaltë është zhvilluar vitet e fundit në rrethinat e kryeqytetit brazilian, Brasilia. Por me krizën që ka krijuar lufta në Ukrainë, ky revolucion po merr vrull me shpejtësi. Brazili ka një klimë dhe kushte tokësore të favorshme për bujqësinë e grurit në rajonet më të buta në jug, çka e bën atë prodhues me peshë.
Presidenti Jair Bolsonaro njoftoi së fundmi se vendi së shpejti do të arrijë t’i sigurojë vetë sasitë e nevojshme të grurit. "Në 10 vjet," tha ai, "ne do të eksportojmë ekuivalentin e asaj që konsumojmë në Brazil". Që atëherë, mundësia e Brazilit për të qenë i vetëmjaftueshëm është diskutuar shpesh në media.
Dëmet që ka shkaktuar thatësira në të korra në Kanadaja, e kombinuar me mungesat që rezultojnë nga pushtimi rus i Ukrainës, e kanë përqendruar vëmendjen globale te gruri. Çmimet për drithërat janë rritur ndjeshëm, gjë që e ka bërë më tërheqëse bujqësinë me kosto më intensive në rajonet subtropikale.
Korporata shtetërore e Kërkimeve Bujqësore Braziliane (Embrapa) po punon me një lloj gruri që mund të rritet në zonat tropikale dhe subtropikale. Gruri i zhvilluar nga Embrapa mund të japë produkt edhe në Afrikën Sub-Sahariane.
Brazili, i cili në vitet 1970 ende importonte mish viçi nga Evropa dhe fasule nga Meksika, tani është eksportuesi i katërt më i madh i ushqimit në botë. Dhe ishte Embrapa që e bëri të mundur këtë revolucion. Duke filluar nga fillimi i viteve 1970, studiuesit filluan t'i përshtatnin kafshët dhe bimët nga shumë rajone të ndryshme të botës me klimën subtropikale, duke i bërë ato më rezistente ndaj nxehtësisë dhe thatësirës. Gjatë dekadave që pasuan, ata ia dolën me pothuajse të gjitha bimët dhe kafshët shtëpiake, nga dhia malore në Afganistan dhe lopët qumështore nga Holanda deri te misri, soja dhe gruri.
Megjithatë, vendi kishte ngecur në prodhimin e grurit, duke u detyruar të importonte miliona tonë drithëra çdo vit. Kjo, megjithatë, tani do të ndryshojë. Plani i Brazilit i jep një rol të rëndësishëm grurit tropikal, edhe nëse ai deri më tani ka përbërë vetëm 5 për qind (dhe në rritje) të prodhimit të përgjithshëm të vendit.
Paulo Bonato, prodhuesi rekord botëror i grurit tropikal, përdor llojin e grurit BRS 264 të zhvilluar nga Embrapa në fermën e tij prej 1,200 hektarësh (2,965 hektarë). Por kjo më vete nuk mjafton për të pasur sukses këtu: toka acide dhe jopjellore duhet të trajtohet me lëndë ushqyese. Për më tepër, gruri duhet të ujitet dhe për këtë Bonato ka krijuar një lloj rezervuari që mbledh ujin gjatë sezonit të shirave.
Embrapa fe nisi studimin e grurit për klimat tropikale në mesin e viteve 1980 - me pak për të treguar për të që në fillim. Drithërat nuk rriteshin mirë dhe përmbajtja e glutenit ishte shumë e ulët. Tekniku bujqësor Julio Cesar Albrecht, 60 vjeç, ka përzgjedhur bimët e grurit për Embrapa që nga viti 1985, duke i polenizuar me dorë që demonstrojnë karakteristika premtuese për përballimin e thatësirës ose dëmtuesve dhe duke krijuar “shartime” të reja.
Albrecht u përfshi në prodhimin e variantit BRS 264, i cili më në fund ka shënuar progres. Që atëherë, prodhimi i grurit tropikal në Brazil është zgjeruar me shpejtësi. Në të vërtetë, varianti i rritur në savanë "mund të konkurrojë me më të mirët në botë nga Argjentina dhe Kanadaja". Me 15 për qind, ky grurë ka një përqindje të lartë të proteinave dhe është "e shkëlqyer për prodhimin e bukës", thotë ai. Albrecht dhe kolegët e tij kanë zhvilluar gjithashtu një variant i cili, megjithëse nuk jep të njëjtat rendimente të bollshme, mund të mbillet në rajonet subtropikale.
Biologia Morgana Bruno, e cila jep mësim në Universitetin Katolik të Brasilias, është më pak e kënaqur me bujqësinë tropikale në lulëzim e sipër. "Prodhimi i produkteve ushqimore është sigurisht i rëndësishëm," thotë ajo. "Por savana është një ekosistem i brishtë." Në kontrast me pyjet e shiut, thotë ajo, mbrojtja për savanën është e dobët.
Edhe më kritike situatën e bën fakti se brezi i savanës tashmë po vuan nga reduktimi i reshjeve si pasojë e shpyllëzimit të Amazonës. Sipas kolektivit kërkimor Mapbiomas, savana ka të ngjarë të shohë 20 për qind më pak reshje në vitet e ardhshme – bazuar në gjendjen aktuale të shpyllëzimit, e cila vazhdon me shpejtësi. Temperaturat pritet të rriten nga 4 deri në 6 gradë Celsius.
Embrapa ka llogaritur se 4 milionë hektarë savanë braziliane mund të mbillen me grurë tropikal në të ardhmen. Plani kërkon përdorimin vetëm të zonave që tashmë i janë dhënë bujqësisë.
Megjithatë, edhe nëse ky objektiv arrihet, pyetja se kush do të përfitojë nga bujqësia tropikale mbetet pa përgjigje. Brazili ka treguar qartë se rritja e prodhimit bujqësor nuk përkthehet domosdoshmërisht në fund të urisë. Vetë Brazili është një paradoks: nga njëra anë, është një nga eksportuesit më të mëdhenj të ushqimit në botë, ndërsa nga ana tjetër, 33 milionë njerëz në vend përballen me pasiguri ushqimore.
/ Me shkurtime nga Der Spiegel /



