
Referendumi i brendshëm në Partinë Demokratike, i organizuar më 23 maj, është një proces votimi përmes të cilit anëtarësia konfirmon ose rrëzon kandidaturën e vetme të Sali Berishës për kryetar të partisë.
Deputeti i PD-së, Ramadan Likaj, dhe anëtarja e PD-së, Afroviti Dhimojani, të ftuar në edicionin e lajmeve në MCN TV, u shprehën se ky proces nuk ndikon në uljen e besimit të anëtarësisë së Partisë Demokratike, pasi beteja kryesore politike mbetet ajo ndaj Partisë Socialiste dhe qeverisë Rama.
Likaj deklaroi se fakti që vëmendja mediatike është përqendruar te Partia Demokratike tregon se opozita është në rrugën e duhur.
Jemi mirë në këtë moment kur mediat marrin në vëmendje kryetarin e PD-së.
Kjo tregon se PD është çdo ditë e më shumë në rrugën e duhur.
Nesër do të jetë një ditë e rëndësishme për të gjithë anëtarësinë e PD-së, e cila do të marrë pjesë në votim. E kemi quajtur referendum për faktin se presim një pjesëmarrje masive në mbështetje të liderit historik të PD-së.
Partia Demokratike ka kaluar një proces të gjerë zgjedhor në të gjitha degët e saj.
Për më shumë se dy muaj janë zhvilluar zgjedhje në PD me parimin ‘një anëtar, një votë’.
Mendoj se ka qenë një proces i mirë, i qetë dhe real.
Sot PD ka të gjitha strukturat e nevojshme në të gjithë territorin.
Fokusi kryesor i Partisë Demokratike mbetet përballja politike me qeverinë.
Çështja kryesore për anëtarësinë është lufta politike me PS-në dhe Edi Ramën.
Ndërkohë, Afroviti Dhimojani theksoi se referendumi është një mekanizëm demokratik dhe nuk duhet parë si diçka e pazakontë.
Nuk është një garë klasike siç jemi mësuar të shohim në PD, por referendumi njihet si një formë votimi dhe mekanizëm demokratik, i mbështetur në votëbesimin ndaj kryetarit Berisha.
Modeli “një anëtar, një votë” ka qenë gjithmonë pjesë e funksionimit të Partisë Demokratike.
Si formë demokratike nuk është e çuditshme, sepse PD dhe anëtarësia e saj e kanë pasur gjithmonë mekanizmin ‘një anëtar, një votë’, ku çdo anëtar shpreh vullnetin e tij.
Referendumi nuk ka lidhje me uljen e besimit të anëtarësisë ndaj partisë.
Kjo nuk ka të bëjë me uljen e besimit të anëtarësisë.
Anëtarësia është forca e PD-së dhe ajo është e thirrur të shprehet. Luftën politike PD e ka me qeverinë.



