Hungaria ka miratuar një amendament kushtetues i cili ndalon aktivitetet publike LGBTQ+.
I mbështetur nga partia Fidesz e Kryeministrit Viktor Orban, amendamenti ndalon organizime të tilla si Budapest Pride dhe ofron një bazë kushtetuese për mohimin e njohjes së identiteteve transgjinore dhe interseksuale.
Amendamenti u miratua nga parlamenti të hënën me 140 vota pro dhe 21 kundër.
Amendamenti kushtetues i Hungarisë tani është ligj. Ne mbrojmë zhvillimin e fëmijëve, pohojmë se një person lind mashkull apo femër dhe kundërshtojmë drogën dhe ndërhyrjen e huaj.
Në Hungari, ka rëndësi arsyeja e shëndoshë.
Kështu shkroi Kryeministri hungarez Viktor Orban në një postim në X, duke përshëndetur amendamentin kushtetues.
Sipas amendamentit kushtetues, të drejtat e fëmijëve për zhvillim moral, fizik dhe shpirtëror mbizotërojnë mbi çdo të drejtë tjetër themelore përveç të drejtës për jetë, përfshirë të drejtën për tubim paqësor.
Ndryshimet kanë të bëjnë edhe me përcaktimin e gjinisë. “Seksi i një personi në lindje është një karakteristikë biologjike dhe mund të jetë mashkull apo femër”, thuhet në tekstin e miratuar.
Prandaj, me këtë amendament të ri, njohja ligjore për personat trans dhe interseks është eliminuar.
Një aspekt tjetër ka të bëjë me mbrojtjen e sovranitetit përballë ndërhyrjeve të huaja të dyshuara. Amendamenti parashikon mundësinë e pezullimit të shtetësisë së shtetasve hungarezë me shtetësi të dyfishtë, nëse kjo paraqet një kërcënim për sigurinë kombëtare. Përcaktohet një periudhë maksimale prej dhjetë vjetësh, me mundësi dëbimi për ata që banojnë në Hungari.
Votimit i parapriu protesta e deputetëve të opozitës dhe disidentëve të cilët tentuan të pengonin hyrjen e deputetëve të mazhorancës në Parlament. Protesta u zhvilluan edhe në pjesë të tjera të kryeqytetit.



