
Ka ndërruar jetë në moshën 84-vjeçare Madeleine Albright.
Sekretarja e parë e Shtetit grua në SHBA, Albright ndihmoi në drejtimin e politikës së jashtme perëndimore pas Luftës së Ftohtë.
Familja bën me dije se Albright ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të pashërueshme.
Sjellim në vëmendje që Albright ishte një figurë qendrore në administratën e Presidentit Bill Clinton. Ajo mbrojti zgjerimin e NATO-s, nxiti që aleanca të ndërhynte në Ballkan për të ndaluar gjenocidin dhe spastrimin etnik në Kosovë.
Albright u përpoq po ashtu të reduktonte përhapjen e armëve bërthamore dhe mbrojti të drejtat e njeriut dhe demokracinë në të gjithë globin.
Në një shkrim në "New York Times" pak para pushtimit rus të Ukrainës, Albright argumentoi se udhëheqësi rus Vladimir Putin do të bënte “një gabim historik” duke pushtuar Ukrainën dhe paralajmëroi për kosto shkatërruese për vendin e tij.



