
Shpikja e një vajze angleze ka lënë pas mbi 1 mijë konkurrentë nga 28 vende në garën për çmimin Dyson Award. Lucy Hughes është shpërblyer me 30 mijë stërlina për shpikjen e materialit plastik nga luspat e peshkut.
Siç raporton “Smithsonian Magazine”, Huhges ka nisur ndërkohë nga puna për kthimin e mbetjeve të peshqve në bioplastikë.
Qeset plastike janë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Sipas statistikave të ambientalistëve, 40 % e këtyre ambalazheve përdoren vetëm një herë dhe në vitin 2050 në dete do të ketë më shumë plastikë sesa peshq.
Marina Tex është pagëzuar shpikja më e re që pritet të kontribuojë në uljen e ndotjes nga plastika.
Materiali i ri është plastikë e tejdukshme, e fortë dhe fleksibël, e cila mund të përdoret për paketimin e ushqimit (ky është destinacioni kryesor i parashikuar në fazën e parë), por edhe për shumë qëllime të tjera.
Materiali degradohet në gjashtë javë dhe, ndryshe nga produktet e tjera e ngjashme, nuk kërkon temperatura të larta për sintezë, as katalizatorë ose ndihmës kimikë për shpërbërje.



