Takimin me demokratët e Fierit, Sali Berisha e nisi me akuza drejtuar kryeministrit Edi Rama. Ish-kryeministri tha se në tetë vitet e qeverisjes së socialistëve, vendi nuk ka bërë hapa për t’u afruar me Europën.
Kemi 8 vite që jo nuk ecim drejt Europës, por përkundrazi, shohim ndonjëherë edhe nga Azia. Drejtimi ynë është ai perëndimor. Por Edi Rama do të na çojë andej nga e çojnë xhepat e tij. Integrimin në BE e kemi interes jetik kombëtar.
Vendimin për ta përjashtuar nga grupi parlamentar, Berisha e cilësoi shkelje të sovranitetit të partisë, ndërsa lëvizjen e vet në bazë një përpjekje për të përmirësuar PD-në.
Askujt nuk do t’i shkonte ndërmend që kryetari i marrë peng, pa pyetur për parime dhe statut, del me një vendim për të dorëzuar sovranitetin e PD. Secili nga ju ka të drejtë të shtrojë pyetjen: Doktori e ka për vete këtë nismë apo për PD. Ju jap fjalën e nderit se e kam për PD dhe anëtarësinë e saj. Ne kemi një fjalë të urtë që thotë “ më mirë qiri i fikur sesa qiri i fëlliqur”, ndaj dhe ne ndalemi këtu. Çështjen time personale do t’ua shpjegon, por që në krye të radhës nuk kam dashur të implikoj njeri tjetër veç vetes.
Berisha tha se me Bashën në PD nuk fiton kurrë.
Lulzim Basha nuk e hapi kurrë PD. Sot ka me dhjetëra e qindra djem e vajza të shkolluara rrugëve të botës, që nuk u jep njeri shpresë. Së fundmi nuk mund të them, por me veprimet që ka kryer, kurrë ai këtë parti në fitore nuk e çon.
Propozimin e Bashës për ndryshimin e Kushtetutës, Berisha e cilësoi të dakorduar me Ramën.
Doli dhe tha do ndryshojmë kushtetutën. Po ku i ke votat? Para dy ditësh, Edi Rama doli dhe krijoi grupin për ndryshimin e kushtetutës. Kjo është gjuhë kodi.
Berisha tha se të drejtën e tij e kërkon te demokratët e thjeshtë. Ai rikujtoi një episod të shumë viteve më parë me Azem Hajdarin.
Shkuam në presidencë, në një takim, me Azem Hajdarin dhe Arben Imami. Kur u kthyem, Hajdarin e kishin shkarkuar nga kreu i komisionit nismëtar. Si e zgjidhëm? Mblodhëm aktivin kombëtar dhe shkuam në votëbesim. Me katër kandidatura nxorëm kryetarin dhe bashkëpunuam. Vota juaj është antidoti ndaj kësaj krize që na krijoi Edi Rama.
Berisha shpjegoi edhe rrugën që do të ndjekë për të rrëzuar vendimin e Bashës.
Të gjithë ata që kanë pasur frikë nga forumet, kanë përfunduar keq. More vendim pa pyetur, por forumet nuk i sakrifikon dot kurrë. Forumet do të mblidhen, Kuvendi do të vendosë që çdo kryetar që i lejon vetes të marrë vendime që nuk janë pushtet i tij, është i shkarkuar dhe funksioni i kalon nënkryetarit apo sekretarit të përgjithshëm. E more vendimin për të shpëtuar veten? Merre po nuk je më. Do të flasë referendumi. Basha ka hequr referendumin nga statuti. Atëherë ne marrim kuvendin, Kuvendi vendos dhe ne shkojmë në referendum. Jemi në krizë të thellë por do ta kapërcejmë së bashku.



