Nuk ju duket se Lulzim Basha e bën çdo gjë gabim? Madje edhe kur bën gjënë e duhur – kur qëllon që bën gjënë e duhur – ai ose e bën me vonesë, ose e bën në mënyrë të gabuar. Sa për ilustrim, kemi situatën e fundit, në të cilën atij iu desh të merrte vendimin e madh në jetën e tij për të përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Ai e mori këtë vendim nën presionin e vendimit që mori Departamenti i Shtetit për ta shpallur Berishën ‘non grata’, por edhe nën presionin e përditshëm të ushtruar mbi të, nga funksionarë amerikanë, midis të cilëve edhe ambasadorja amerikane në Shqipëri. Dhe në thelb, Lulzim Basha i tha publikut: “Unë nuk jam dakord me këtë akuzë. Unë nuk besoj asnjë akuzë të ngritur nga amerikanët ndaj Sali Berishës. Por unë jam i detyruar nga amerikanët (!!!) për ta përjashtuar Berishën nga grupi parlamentar.” Dhe pas kësaj ai filloi të recitojë atë litaninë e njohur e të mërzitshme, sipas së cilës “Sali Berisha është lideri historik i Partisë Demokratike, dhe ai ka kontribute të jashtëzakonshme jo vetëm në favor dhe në funksion të së mirës së Partisë Demokratike, por edhe në favor e në funksion të interesit kombëtar e të demokracisë... Bla, bla, bla...”
Vini re! Përpara syve tanë po zhvillohet një betejë. Është një betejë që është brenda Partisë Demokratike. Sali Berisha po e zhvillon këtë betejë dhe është në crescendo. Lulzim Basha nuk po merr pjesë në këtë betejë, sido që kjo është beteja më e rëndësishme e jetës së tij. Ai thjesht po thotë se unë jam berishian. Unë nuk kam gjë me Berishën. Ka shumë njerëz që janë duke thënë se ai po e vret babain, megjithatë. Ai po e vret në mënyrë perfide, burracake, të padenjë, të pabesë, si skuth, po i ngul një thikë pas shpine... Ama, ai po e vret. Megjithatë, siç thotë ai vet, me Sali Berishën nuk e ndan asgjë.
Këta njerëz që besojnë se babai është vrarë thonë se kjo është një arsye për t’u gëzuar. Por ky është një gëzim i parakohshëm për të gjithë ata që këtë e konsiderojnë si gëzim. Ky është një gëzim i parakohshëm, pasi Sali Berisha nuk është vrarë. Babai po reziston. Ai ka filluar betejën për të cilën sapo folëm. Dhe në këtë betejë, ai nuk po lë mjet pa përdorur për ta diskretituar Lulzim Bashën dhe për ta bërë atë, që në fund, ta humbasë këtë betejë. Por, në fund, me shumë gjasë, mund të vritet biri, dhe babai të mbetet gjallë.
Përsëris! Në këto rrethana, Lulzim Basha vetëm po hesht. Jo vetëm po hesht, por ka urdhëruar edhe entourage-in e tij që të heshtë, të mos u përgjigjet gazetarëve, të mos marrin pjesë në debatin publik lidhur me këtë çështje. Gazetarët i kërkojnë në telefon njerëzit e Bashës të vijnë në studio, por ata nuk shkojnë në asnjë studio. Këtë çështje ata janë duke e injoruar. Edhe ndonjëri prej tyre që del në debatin publik nuk harron të na thotë se “Sali Berisha është sjellësi i demokracisë. Ai është pro-amerikani numër një në Shqipëri. Ai është luftëtari anti-korrupsion në Shqipëri.” Të gjitha këto përgënjeshtrojnë akuzat që administrata amerikane ka ngritur ndaj Sali Berishës, dhe për shkak të të cilave ata që i thonë këto gjëra, por edhe grupi parlamentar i Partisë Demokratike, kanë marrë vendimin për ta larguar Sali Berishën nga grupi parlamentar.
Me këtë logjikë, këta njerëz duan të mundin Sali Berishën. Po futen në një betejë anti-Berisha, dhe duan ta mundin atë duke i shprehur besnikëri dhe luajalitet ndaj tij, duke thënë se “Sali Berisha është një legjendë”. Kjo është qesharake. Kjo e bën aksionin e tyre dhe Lulzim Bashën qesharak. Ai është qesharak – përveç të tjerash - edhe për faktin se po bën sikur kjo ngjarje nuk ekziston, edhe për faktin se ai po e injoron dhe nuk e ka fare në agjendën e tij. Përpara dy ditësh, ai shpalli një nismë në Parlament për ngritjen e disa komisioneve parlamentare hetimore, njëri prej të cilëve do të ketë për detyrë të hetojë çështjen Becchetti - sipas Bashës. Vini re! Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për çështjen Becchetti, që detyron shtetin shqiptar t’i paguajë Becchetti-t më shumë së 100 milion euro, është publikuar si vendim përpara se të fillonte fushata elektorale e fundit, të cilën Basha e humbi. Pra, Bashës në atë rrethanë i erdhi një rast i artë, një alamet guri, me ndihmën e të cilit mund të bënte domino, por ai nuk e shfrytëzoi këtë rast. Ai nuk foli kurrë për çështjen Becchetti gjatë fushatës elektorale, në mënyrën më të çuditshme të përfytyrueshme. Dhe në fund fare, domino bëri Edi Rama.
Tani, Basha nuk ka të drejtë të çuditet se përse demokratët dhe opinioni publik nuk e mbështesin në këtë lloj nisme të natyrës parlamentare. Ata nuk e mbështesin se çështja Becchetti për ta nuk është ngjarja e ditës. Sot, për demokratët, çështja e ditës është një ngjarje konflikti që ka nisur brenda Partisë Demokratike. Demokratët janë të interesuar jo se çfarë ka bërë Becchetti përpara disa vitesh, por se çfarë do të ndodhë me Lulzim Bashën pas disa ditësh. Kjo është çështja brenda Partisë Demokratike. Dhe Sali Berisha është duke zhvilluar betejën e tij, ndërsa Lulzim Basha thjesht po bën spektatorin, sehirxhiun. I ka lëshuar skenën Sali Berishës, i ka lëshuar terrenin dhe Berisha po e fiton terrenin dita-ditës. Po shohim demokratët që mblidhen rreth Sali Berishës. Kishin kohë, të shkretët, që nuk po gjenin dikë rreth të cilit të mblidheshin dhe kanë gjetur njeriun e tyre, njeriun e përjetshëm. Duket se Lulzim Basha, që është gjithashtu berishian, është i kënaqur me këtë gjë. Duket se po i gëzohet suksesit të Berishës. Këtë ka bërë gjithmonë, në fakt: gëzohet kur Sali Berisha arrin suksese. Dhe harron se në këtë mes, këtë herë, suksesi i Sali Berishës do të thotë fundi politik i Lulzim Bashës. Dhe ky do të jetë fundi i tij i merituar!



